Gigi Buffon mendon se Juventusi po ‘lëviz në të njëjtin drejtim’ nën drejtimin e Igor Tudor, por edhe pse e kritikoi Thiago Mottan për disa vendime, ende ka ‘shumë besim në të ardhmen e tij’ si trajner.
Fituesi i Kupës së Botës 2006 tani është shefi i delegacionit të kombëtares italiane nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, por edhe pse fitoi trofe me Parmën dhe Paris Saint-Germain, karriera e tij në klube është e lidhur kryesisht me Juventusin.
Portieri i pensionuar ishte këtë mbrëmje në studion e DAZN si analist për të ndjekur barazimin 1-1 mes Juves dhe Romës në Stadio Olimpico, ndeshja e dytë nën drejtimin e trajnerit të ri – dhe ish-shokut të tij te Bianconerët – Igor Tudor.
“Duke i parë sonte, më dukeshin sikur lojtarët kishin më shumë për t’i thënë dhe ndarë me njëri-tjetrin, sikur po lëviznin në të njëjtin drejtim,” tha Buffon.
“Më herët këtë sezon, ata dukeshin sikur po vuanin, nuk e shihja një fije të përbashkët që t’i lidhte, kështu që secili po e interpretonte ndeshjen në mënyrën e vet. Nuk kishin unitet.”
Buffon analizon Juventusin nën drejtimin e Thiago Motta
Thiago Motta pati pritshmëri të mëdha pasi e çoi Bolognan në vendin e pestë sezonin e kaluar dhe mori drejtimin e Juventusit, por u shkarkua pas dy humbjeve radhazi ndaj Atalantës dhe Fiorentinës.
“Duke marrë parasysh të kaluarën e tij si lojtar dhe më pas si trajner, mendoj se Thiago Motta do të bëjë mirë. Akoma besoj se ai do të ketë një karrierë të madhe, kështu që shpresoj që kjo pengesë të jetë një mësim dhe ta ndihmojë të bëhet një trajner më i mirë. Ende kam shumë besim në të ardhmen e tij,” siguroi Buffon”.
Ardhja e Tudor u pa si një rikthim i ADN-së së Juventusit, duke marrë parasysh të kaluarën e tij si lojtar në Torino dhe gjithashtu si ndihmës i Andrea Pirlos.
“Do të ishte reduktive të thuash se ai solli vetëm vendosmëri. Igor tregoi tashmë te Lazio sezonin e kaluar se çfarë mund të sjellë – energjinë dhe pozitivitetin që ia transmeton ekipit. Kjo ishte pikërisht ajo që i duhej Juventusit.”
Thiago Motta u kritikua gjithashtu për mungesën e konsistencës në zgjedhjen e kapitenit të Juventusit, duke ia dhënë shiritin lojtarëve të ndryshëm gjatë sezonit.
“Ishte padyshim e pazakontë,” pranoi Buffon kur u pyet për këtë qasje.
“Gjëja e parë që bën kur hyn në dhomat e zhveshjes së Juventusit është të shohësh fotografitë e kapitenëve, më shumë se 100 vjet histori. Kjo tregon se duhet të gjesh një kapiten dhe t’i përmbahesh atij, sepse në momentet delikate ose kur duhet të përcillet mesazhi i trajnerit, kapiteni nuk mund të dobësohet. Ai duhet të mbështetet dhe të ndihet si pika qendrore e ekipit”.