Wojciech Szczesny është kthyer në një “hajmali” të vërtetë për Barcelonën. Kanë kaluar tashmë gati tre muaj e gjysmë me polakun në portë dhe ai nuk di çfarë është humbja. Në total, 20 ndeshje pa disfatë: 17 fitore dhe 3 barazime.
Mbas një fillimi të vështirë për të rifituar formën e tij më të mirë, duke qenë se ishte rikthyer në fushë pas një periudhe pushimi (“pensionimi” nga futbolli), polaku po tregon vlerën dhe përvojën e tij. Hansi Flick ka vendosur t’i besojë atij, duke lënë në stol Iñaki Peña.
Madje, ish-portieri i Juventusit po i afrohet edhe një rinovimi kontrate me Barcelonën, duke qenë se marrëveshja aktuale përfundon më 30 qershor. Por tani mund të përballet me një situatë të re, pasi Ter Stegen është gjithnjë e më afër rikthimit pas dëmtimit, dëmtim që në fakt e kishte detyruar klubin katalanas të firmoste në kushtet e urgjencës me Szczesny.
Vetë “Tek” ka sqaruar situatën në lidhje me një rikthim të mundshëm të portierit gjerman si titullar, në vend të tij. “Dua ta ndihmoj skuadrën dhe të jap më të mirën në fushë, por nëse trajneri vendos që kapiteni të kthehet dhe të marrë sërish portën, – ka thënë polaku për “SPORT”, – për mua do të ishte një situatë krejtësisht normale dhe e kuptueshme. Kam ardhur këtu për të zëvendësuar Marc dhe nuk do të kisha asnjë problem nëse ai kthehet dhe merr vendin e tij përsëri”.