Në prag të përplasjes së madhe çerekfinale në UEFA Champions League mes Bayern Munih dhe Inter, dy ish-skuadra të tij, Xherdan Shaqiri ka ndarë mendimet e tij në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke u treguar diplomatik dhe i matur në analizën e tij.
“Kam përjetuar momente të veçanta me të dyja fanellat”.
Shaqiri, i cili ka veshur si fanellën e bavarezëve ashtu edhe atë të zikaltërve gjatë karrierës së tij, pranoi se nuk mund të zgjedhë mes tyre:
“Kam luajtur për të dy klubet dhe kam kujtime të paharrueshme. Kjo e bën shumë të vështirë për mua të jap një parashikim. Thjesht do të mbështes skuadrën më të mirë në fushë.”
Duke u ndalur te forma aktuale e Interit dhe mundësia për të përsëritur suksesin historik të vitit 2010, kur zikaltërit fituan tripletën nën drejtimin e José Mourinhos, Shaqiri shtoi: “Një sezon i tillë kërkon perfeksion, konsistencë dhe padyshim edhe pak fat.
Interi ka një skuadër shumë të fortë dhe një mentalitet fitues.
Asgjë nuk është e pamundur.”