Zgjedhjet e vitit 1945 e penalizuan 10 vjet pranimin e Shqiperise në OKB.

- Bota Sot

Zgjedhjet e vitit 1945 e penalizuan 10 vjet pranimin e Shqiperise në OKB.

Në 15 dhjetor të vitit 1955, pra 70 vjet mè pare Qeveria shqiptare u njoftua zyrtarisht për vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-s për pranimin zyrtarisht të Shqipërisë me të drejta të plota, anëtare e OKB-së, një vendim i shumëpritur dhe i merituar i popullit shqiptar. Tre ditë më vonë, Qeveria shqiptare njoftoi caktimin e delegacionit të saj zyrtar në Sesionin e 10 -të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Që nga ajo kohë Shqipëria gëzon statusin e shtetit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 

Po përse Shqipëria u penalizua kaq gjatë, deri sa i u dha drita jeshile e anëtarësimit, kur ajo u "çlirua" ne nentor te vitit 1944 dhe ishte edhe pjese e kualicinit te madh antifashist?!

Ne fakt ky penalizim 10- vjeçar, që nga kërkesa e parë për pranim në vitin 1945 ne OKB, ishte rezultat i sjelljes së Enver Hoxhës me popullin dhe ndërkombëtarët. Në 10 vjet kërkesa për pranimin e Shqipërisë në OKB, u kurdisën “shumë komplote” siç është thënë nga literatura e ish-regjimit komunist, por një qëndrim i tillë anti perendimor, ndiqte një trajektore të caktuar. 

Duhet thënë se barriera më e madhe për mospranimin e Shqipërisë në OKB, ishte regjimi komunist shqiptar, vetë Enver Hoxha. Që pas kërkesës që mban datën 14 mars 1945, kohë kur “qeveria” shqiptare bëri kërkesën e parë për pranimin e Shqipërisë në OKB, nisi edhe diskutimi në Këshillin e Sigurimit në shqyrtim të Kërkesës. Anglo-amerikanët vunë veton që kërkesa shqiptare të mos shqyrtohej, sepse ndonëse ata e njihnin luftën e pabarabartë dhe sakrificat e kontributin e popullit shqiptar në triumfin e kauzës së përbashkët që ishte fitorja kundër fashizmit, i bënë të qartë Qeverisë shqiptare të asaj kohe, se Fuqitë iniciatorë të krijimit të kësaj organizate dmth. të OKB-s, kishin rënë dakord të mos ftoheshin në Konferencën e San Françiskos qeveritë, që nuk ishin njohur akoma nga ato dhe me të cilat si pasojë nuk ishin vendosur marrëdhënie zyrtare diplomatike, siç ishte rasti i Qeverisë shqiptare.

Ndonëse këmbëngulja anglo-

amerikane për arsyen e lartpërmendur ishte kundër shqyrtimit të kërkesës së Qeverisë së Enver Hoxhës për anëtarësim në OKB, më 13 shkurt të vitit 1946, pasi kishte bërë kërkesën e dytë, kjo kërkesë e Qeverisë shqiptare u vu për shqyrtim në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Por një ditë para shqyrtimit në Këshillin e Sigurimit, pra me 12 shkurt, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Rendis, duke qenë i informuar indirekt mbi qëndrimin edhe të anglezëve edhe të amerikanëve, i dërgoi një letër Kryetarit të Këshillit të Sigurimit, Makin, ku i kërkonte që “shqyrtimi i çështjes shqiptare të shtyhej”. Argumenti jepej e justifikohej se “Shqipëria ishte në gjendje lufte me Greqinë”.

Komiteti i Pranimeve të Anëtarëve të Rinj, kërkonte informacione shtesë për të shoqëruar aplikimin e Qeverisë shqiptare për pranimin e Shqipërisë në OKB, ndër ta edhe informacion mbi zgjidhjen e problemeve të marrëdhënieve me Greqinë, mbi qëndrimin e Qeverisë së Enver Hoxhës ndaj vlefshmërisë së Traktateve dhe Marrëveshjeve në fuqi të nënshkruara para 7 prillit të vitit 1939 midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të OKB-s, apo informacion zyrtar për zhvillimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 dhe rezultatin e tyre etj. Përgjigja e marrë në ato vite nga Qeveria e Enver Hoxhës për këto çështje, nuk ishte korrekte as për historinë e Traktateve dhe të Marrëveshjeve, as mbi zhvillimin e ngjarjeve lidhur me zgjedhjet e 2 dhjetorit. Për Traktatet dhe Marrëveshjet, shkruhej në përgjigjen e Enver Hoxhës për Komitetin e Pranimeve të Anëtarëve të Rinj në OKB, “Qeveria shqiptare pranonte diskutimin e vlefshmërisë së tyre por pasi të ishin vendosur më parë marrëdhëniet diplomatike me shtetet nënshkruese”, qëndrim që nuk gjeti dakordësi nga Fuqitë e Mëdha, bazuar arsyetimi në të drejtën ndërkombëtare për këto raste.

Për çështjen e pretendimeve të ministrit të jashtëm grek, “për sulmin ushtarak të Shqipërisë ndaj Greqisë”, përgjigja që i u dha Komitetit të Pranimeve të Anëtarëve të Rinj ishte se kjo çështje nuk qëndronte, pasi “Shqipëria ishte vetë e pushtuar nga Italia fashiste gjatë Luftës së dytë Botërore dhe një i pushtuar, nuk ka sesi të ndërmarrë akte agresioni ndaj një tjetri”, aq më shumë që edhe dy batalionet ushtarake që mbanin emra shqiptar, “Tomori” dhe “Taraboshi”, por që ishin në përbërje mobilizimi të Ushtrisë italiane, të cilët u çuan nga Italia në frontin grek, nuk pranuan të luftonin dhe dezertuan. Në fakt letra e ministrit të Jashtëm të Greqisë, ngjalli debate dhe u arkivua në dokumentet e Këshillit të Sigurimit. Por në vijim ministri i Jashtëm grek e shfrytëzoi qëndrimin anglo-amerikan se “Kërkesa e pranimit të Shqipërisë në OKB, ngre çështje shumë delikate”, ndaj unë, u shpreh delegati britanik Bevin, “nuk kam ndërmend të diskutoj këtë mbrëmje. Në qoftë se unë do të jem i detyruar të shprehem këtë mbrëmje, do të më duhej të votoja kundër pranimit të Shqipërisë”. Këtë qëndrim tepër elokuent të Bevinit, propaganda zyrtare e regjimit të Tiranës, nën dirigjimin e asaj të Beogradit e të Moskës, e amplifikoi së tepërmi si qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Pavarësisht nga dashakeqësia greke dhe zhbirilimi i momentit për t’iu kundërvënë Kërkesës shqiptare, qëndrimi anglo-amerikan në shtyrje të kërkesës për pranimin e Shqipërisë në OKB justifikohej plotësisht, sepse Qeveria e Tiranës edhe pa “çështjen greke” nuk i plotësonte kushtet e pranimit në OKB, për shkak të mohimit në zgjedhje të para e si rezultat edhe të lirive themelore të të drejtave të njeriut.

Sipas dokumentacioneve, anglo-amerikanët bënë tërë ato tentativa për ta demokratizuar regjimin e Tiranës. I theksuan atij verbalisht e me shkrim se pranimi në OKB, kërkonte plotësimin e disa kritereve e të disa parametrave, si zgjedhjet e lira që nuk ishin bërë të tilla, apo lejimi i veprimtarisë korrekte të misioneve angleze e amerikane në Shqipëri, të drejtat e njeriut e deri te respektimi i Traktateve e Marrëveshjeve dy e shumëpalëshe, të nënshkruara në kohën e Mbretit Zog. Ndonëse këto ishin thelbësore, Enver Hoxha amplifikonte në popull se “refuzimi që i bëhej Shqipërisë për pranimin në OKB”, bëhej nga që sipas tij “Uashingtoni dhe Londra ishin të pakënaqura nga qëndrimi i mbajtur nga Qeveria Shqiptare ndaj pretendimeve të tyre, sidomos nga mundësitë e pakta që u ishin krijuar misioneve angleze e amerikane në Shqipëri, për të ushtruar veprimtarinë komplotiste kundër pushtetit popullor”. Kështu i cilësonte regjimi i Enver Hoxhës, si qëndrimet ashtu edhe veprimtarinë e anglo-amerikanëve.

Në një artikull, shkruar nga një diplomat amerikan për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, thuhet se “Enver Hoxha dhe Josif Broz Tito, i larguan SHBA nga Shqipëria”. Dhe, ja si shkruan ai për këtë problem: “Si rrjedhim i raportit të 8 shkurtit të vitit 1946 të zotit Jacobs (përfaqësues i misionit amerikan në Tiranë), Departamenti i Shtetit i dërgoi më 12 shkurt të vitit 1946 një Notë të fortë Enver Hoxhës, duke iu ankuar rreth trajtimit jo të sjellshëm të anëtarëve të Misionit dhe duke kërkuar përsëri që Qeveria Shqiptare të njoftonte se i njihte Traktatet dhe Marrëveshjet e mëparshme”. Në të njëjtën kohë, theksohej në atë notë, “Qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të mos lerë asnjë dyshim në mendjen e autoriteteve shqiptare që, në qoftë se vazhdon trajtimi jo i sjellshëm ndaj misionit dhe përpjekjet e tanishme për të pastruar atmosferën jo miqësore dështojnë, atëherë do ta ndiejë veten të detyruar të rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj regjimit të tashëm”.

Në një takim që bën me Enver Hoxhën më 27 shkurt të vitit 1946, për të biseduar rreth notës së Qeverisë Amerikane, përfaqësuesi i SHBA Jacobs, i bëri një theksim të veçantë Marrëveshjes së Kombit më të Favorizuar (Most Favored Nation Agrement), që i ishte akorduar Shqipërisë nga SHBA. Në përgjigje, Enver Hoxha, i bëri një deklaratë të tillë se “detyra e parë e Qeverisë së tij pas njohjes nga Shtetet e Bashkuara, do të jetë rishqyrtimi i Traktateve dhe i Marrëveshjeve dhe se Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet t’i besojë qeverisë së tij”. Lidhur me këtë çështje, Jacobs-i, në kabllogramin e tij të datës 28 shkurt të vitit 1946, iu përgjigj Enver Hoxhës se “kjo nuk ishte një çështje besimi, sepse në vështrim të zhvillimeve të fundit (me këto fjalë duhet të kihet parasysh shtimi i influencës së sovjetikëve dhe jugosllavëve në Shqipëri), Marrëveshja e Kombit më të Favorizuar dhe Traktati i Natyralizimit, janë për Shqipërinë më me rëndësi se kurdoherë tjetër”. Theksimi i Jacobs-it mbi “Marrëveshjen e Kombit më të Favorizuar”, u bë në një kohë kur jugosllavët kishin atëherë nën kontroll të plotë Enver Hoxhën dhe ishin duke përpiluar me të Traktate, për ta përfshirë ekonominë e Shqipërisë në gjirin e ekonomisë së Jugosllavisë dhe jo vetëm kaq, por synimi ishte për ta gllabëruar Shqipërinë nga Jugosllavia.

Pikërisht kur zhvilloheshin bisedimet Hoxha – Jacobs të 27 shkurtit, jugosllavët vendosën të mos e linin Enver Hoxhën ta pranonte kushtin e Uashingtonit, lidhur me pranimin e “Marrëveshjes së Kombit më të Favorizuar”, dhe kjo gjë është vënë në dukje në Librin e Bardhë jugosllav “Lidhjet jugosllavo-shqiptare 1939-1948” të përpiluar me dokumente nga Vladimir Dedijeri (biograf i Titos) dhe botuar në Beograd më 1949. Dedijeri shkruan se “sikur Qeveria Shqiptare ta kishte pranuar kushtin e Marrëveshjes dhe të Traktateve “qarqe financiare amerikane do ta kishin skllavëruar plotësisht ekonomikisht Shqipërinë”. Ishte pikërisht kjo arsye thotë Dedijer, që “miqtë e jashtëm” (lexo jugosllavët dhe sovjetikët) ndërmjetësuan te Enver Hoxha që ta hidhte poshtë kushtin e Shteteve të Bashkuara”.

Rezultat i këtyre qëndrimeve anti perendimore, regjimi i Enver Hoxhës po haste kundërshtime për njohje, jo vetëm nga jashtë nga anglo-amerikanët e fuqitë e tjera të mëdha Europiane por edhe nga shumë njerëz dhe personalitete brenda vendit, gjë që lidhej edhe me njohjen ndërkombëtare apo pranimin në OKB.  Për shembull, Suat Asllani, jurist me përvojë tepër të madhe, anëtar i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, kur u propozua për të hedhur kandidaturën për deputet në zgjedhjet e vitit 1946, ai i kërkoi Enver Hoxhës “që të kishte kujdes në bërjen e Ligjit të zgjedhjeve, të kërkonte asistencë juridike dhe mbështetjen e aleatëve Perëndimorë, pasi ai ishte kusht për njohjen e Shqipërisë nga Anglia, Franca dhe SHBA”. I tillë ishte edhe qëndrimi i Sejfulla Malëshovës, një figurë shumë e rëndësishme e Luftës Antifashiste, i cili ishte për një hapje dhe orientim sa më të gjerë drejt Perëndimit. Jo vetëm kaq, por Sejfulla Malëshova në shkurt-mars të vitit1946 (kur diskutoheshin politika, programi i qeverisjes dhe Kushtetuta), kërkoi nga Enver Hoxha pranimin e Traktateve, që ekzistonin para çlirimit midis SHBA dhe Shqipërisë, duke e argumentuar këtë jo vetëm me interesin e bashkëpunimit, por edhe me vijueshmërinë juridike të shtetit shqiptar.

Por në antitezë, Qeveria e Enver Hoxhës, jo vetëm që bëri një Ligj zgjedhjesh antidemokratik, por   nuk i ndryshuan as sjelljet ndaj përfaqësuesve anglo-amerikanë dhe i kurorëzuan ato me përzënien nga Shqipëria apo qëndrimin dashakeqës ndaj UNRRA-s. Ligji i zgjedhjeve dhe vetë zgjedhjet, treguan qartë se regjimi i Enver Hoxhës, nën inspirimin e diktatin sllav, ishte dhe mbeti anti perëndimor e antidemokratik. Gjithashtu këtyre parametrave anti perëndimor të manifestuara nga regjimi i Enver Hoxhës i u shtua  edhe kompromentimi si në rastin ndaj përkrahjes së forcave antiqeveritare greke, gjë që çoi në konfliktin ndërkufitar të gushtit të vitit 1949.

Veprimet e mësipërme që theksuam, të gjitha këto, diplomacia perëndimore i ndiqte me interes dhe i dënonte, ndërsa situata në Shqipëri shikohej me pesimizëm. Projekti për aneksimin e Shqipërisë në Federatën Jugosllave, në atë kohë ishte tepër destabilizues, që Perëndimi në asnjë mënyrë nuk mund ta lejonte. Koncepti demokratik Perëndimor ishte se demokratizimi arrihej në vende të stabilizuara, ndërsa vendet pa stabilitet janë provendosjes së rregjimeve diktatoriale komuniste. Sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare, parim bazë edhe i demokracive Perëndimore, ishte një Ballkan i lirë dhe me qeverisje demokratike. Në rastin konkret, një Shqipëri në stabilitet, që të plotësonte parametrat Perëndimore  demokratike dhe të bëhej edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duhej të eliminonte fillimisht kontradiktat e sajuara që kishin shkuar deri në shkëputje të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane, shqiptaro-angleze apo shqiptaro-perëndimore, që ishin rezultat i qëndrimeve antidemokratike të regjimit të Enver Hoxhës dhe përgjegjësi vetëm e tij.

Marrëdhëniet jo normale të regjimit të Enver Hoxhës me anglo-amerikanët apo aplikimin e ligjit antidemokratik të zgjedhjeve, grekërit i shfrytëzuan duke u përfshinë me pretendimet e tyre territoriale. Ndryshe nga grekërit dhe përkundrazi anglezët e amerikanët i shfaqnin hapur pretendimet dhe kërkesat e tyre parimore ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Por Enver Hoxha, ndonëse duhej të reflektonte ndaj miqve të mëdhenj të popullit shqiptar, përkundrazi me Polici e Sigurim ndiqte hap pas hapi jo vetëm Misionarët anglo-amerikanë në Shqipëri por edhe njerëzit shqiptarë që takoheshin me ta. Në këto kushte, të një ndjekje të paprecedentë “ne nuk mund të qëndrojmë më në Tiranë -shprehej Nil, -përfaqësuesi i Misionit Ushtarak anglez, -por “ne do të kthehemi në Shqipëri në një mënyrë tjetër”. Aludohej për rikthimin me fitoren e demokracisë e cila një herë do të vendosej, siç fitoi dhe u vendos. Thënien e mësipërme të Nilit dhe të tjerëve misionarë amerikano-anglezë, Enver Hoxha dhe kalemxhinjtë e tij e shfrytëzuan gjatë dhe me kontekstin si kërcënim. E vërteta është se pas gjysmë shekulli, ato anglo-amerikanët u kthyen vërtet “ndryshe”, u kthyen me demokracinë.

Pasi ishte shtyrë për disa muaj, (nga shkurti deri në maj të vitit 1946), kërkesa e Shqipërisë për pranim në OKB, u vu përsëri në agjendën e Këshillit të Sigurimit në muajin maj. Enver Hoxha ndonëse e kishte ripërsëritur kërkesën për pranim, nga ana tjetër nuk u ishte përgjigjur sqarimeve të Qeverisë Amerikane lidhur me statusin e Traktateve. Për këtë më 14 maj të vitit 1946, Departamenti i Shtetit i SHBA i dërgoi një memorandum Qeverisë së Enver Hoxhës, ku i theksonte se Kërkesën për pranimin e Shqipërisë në OKB “mund ta gjykojë vetëm me dyshime të mëdha sepse dyshon në vullnetin e autoriteteve shqiptare për të përmbushur me mirëbesim përgjegjësitë ndërkombëtare”. Si rezultat i këtij konkluzioni dhe qëndrimi të SHBA që bënë për Shqipërinë dhe i projektrezolutës së përfaqësuesit amerikan Stetincus në Këshillin e Sigurimit, më 15 korrik të vitit 1946, shqyrtimi i Kërkesës së “Qeverisë” së Enver Hoxhës, u shty përsëri për në një kohë tjetër dhe çështja e pranimit të Shqipërisë në OKB i kaloi përsëri Komitetit të Kërkesave.

Më 2 gusht të vitit 1946 në Paris u takuan dhe biseduan edhe për çështjen shqiptare, Sekretari amerikan i Shtetit Byrnes, me kryeministrin grek Caldaris dhe kryeministrin anglez Etli (Attlee), takim që u bë jo për copëtimin e Shqipërisë, as për të joshur kërkesën greke për plotësimin e pretendimit për “Vorio Epirin”, siç u paraqit në opinion nga Enver Hoxha, por për ta bindur kryeministrin grek që pretendimet që kishte e që mbronte, ishin të pabazuara. Për ta argumentuar këtë, citojmë pyetjen që iu bë më 9 gusht të vitit 1946 delegacionit shqiptar në Komitetin e Kërkesave në Nju Jork: “A e konsideron Qeveria Shqiptare veten e saj në gjendje lufte me Greqinë dhe në qoftë se është ashtu, si do të përfundonte kjo gjendje lufte, sipas pikëpamjes shqiptare”?. Nëpërmjet pyetjes asgjësuese se: “a e konsideron Qeveria Shqiptare veten e saj në gjendje lufte me Greqinë?”, përfaqësuesi amerikan, ndonëse ishte i qartë dhe e njihte mirë historinë, kërkonte nga përfaqësuesi shqiptar shpalosjen e fakteve dhe ngjarjeve për luftën italo-greke të ndërmarrë nga territori i pushtuar shqiptar.



Read it all at Bota Sot