Dr. Ali Hajdari, me origjinë nga Drenasi, është emëruar Shef i Klinikës së Kardiologjisë dhe Angiologjisë në spitalin Krankenhaus Waltershausen-Friedrichroda në landin e Thüringenit, duke u bërë kështu drejtuesi i parë shqiptar i një klinike të këtij lloji në këtë rajon të Gjermanisë.
Kjo arritje e shënon një tjetër sukses të madh për mërgatën shqiptare.
Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ku ka theksuar rëndësinë e këtij suksese.
“Fushëveprimtaria profesionale e Dr. Hajdarit është shumë e gjerë e koncentruar tek intervenimet në zemër, implantimin e device-ve speciale të zemrës e po ashtu edhe mjekimin e sëmundjeve të arterieve periferike me procedura endovaskulare. Ai vazhdon të punojë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore të Gjermanisë dhe të Kosovës. Bravo Ali”, ka shkuar ambasadori Ajeti.
Dr. Hajdari ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, duke ndjekur më pas një karrierë të suksesshme profesionale në disa nga klinikat më prestigjioze universitare të Gjermanisë, si ato në Mannheim, Jena, St. Georg Klinikum Eisenach dhe Elisabeth-Klinikum Schmalkalden.
Ai është specialist i Mjekësisë Interne dhe subspecialist i Kardiologjisë, i diplomuar në Qendrën Klinike Universitare të Jenës, dhe gjithashtu subspecializant i Angiologjisë (sëmundjeve të enëve të gjakut).