Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, po merr pjesë sot në Bruksel në konferencën “Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”.
Për këtë ka reaguar drejtori i Institutit Octopus në Prishtinë, Arben Fetoshi, i cili ka thënë se zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, një nga figurat më proruse e anti-perendimore në politikën serbe dhe njeri i afërt i Vladimir Putinit - po merr pjesë sot në Bruksel në konferencën “Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”.
Profesori universitar, Fetoshi ka shkruar në Facebook se i sanksionuari nga SHBA-të për lidhjet me kriminin dhe ndikimin rus, e “shpjegon” rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, pikërisht nga selia e BE-së.
“Duke e dërguar Vulinin në Bruksel, Vuçiq në fakt po dërgon një mesazh të qartë: Serbia e synon procesin e integrimit evropian sipas projeksioneve ruse, “një kalë i Trojës” për t’i shërbyer interesave të Moskës në BE”, ka shkruar Fetoshi.
Vulin më 2023 u fut në listën e zezë nga Thesari i SHBA-së, për përfshirje në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Mediet në Serbi sot raportuan se zëvendëskryeministri në mandat teknik, Aleksandar Vulin, është në një vizitë zyrtare në Bruksel.
Sipas mediave, Vulin sot në Parlamentin Evropian do të marrë pjesë në konferencën “Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”. Konferenca do të drejtohet gjithashtu nga eurodeputetët Ivan David ("Liria dhe Demokracia") dhe Petr Bistron (AfD), si dhe Milutin Iliq, një këshilltar në Parlamentin çek.
Ndryshe Vulin njihet për lidhje të forta me Rusinë. Në të kaluarën ka shërbyer edhe si kryetar i BIA-s serbe e ishte larguar pas sanksionimit nga SHBA-ja.
Vulin konsiderohet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kremlinit në udhëheqjen serbe. Ai është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vlladivostok, kur ka deklaruar se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.