Vila e ish-kreut komunist shqiptar, Enver Hoxha, tashmë quhet Vila 31 x Art Explora dhe është kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore.
Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit Blendi Gonxhja.
Vila 31 x Art Explora ka mirëpritur rezidentët e parë nga Franca, Tunizia, Libani, Malta, Italia e vende të tjera, duke sjellë një program kulturor të hapur për të gjithë: performanca, diskutime, punëtori, lexime dhe shfaqje filmash, tha kryeministri.
Nga data 9-13 prill, hyrja do të jetë e lirë për të gjithë, raporton Euronews.
Kujtojmë, më 11 prill mbushen 40 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vjet, ndërsa për pjesën tjetër Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.
Megjithëse Hoxha ende gëzon një simpati të veçantë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, periudha 40-vjeçare e udhëheqjes së tij, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata, dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.
Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985, ndërsa vdes dy ditë më vonë.
Ai u varros me një ceremoni madhështore në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit, varri i tij u zhvendos te varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.