Pogba: Sfidat më kanë ndryshuar

- Bota Sot

Pogba: Sfidat më kanë ndryshuar

Paul Pogba i vitit 2025 është larg imazhit që publiku ka njohur ndër vite. Nuk është më ylli ekstravagant dhe vetëbesues që dominonte skenën ndërkombëtare; tani flet me zë të ulët, me qetësi dhe një buzëqeshje të lehtë. Një njeri ndryshe. “Para së gjithash, nuk shoh orën që të luaj përsëri, – rrëfehet ai për “GQ France”, me një emocion të ndjeshëm në zë. – E di, ka kaluar shumë kohë që kur kam luajtur për herë të fundit”.

I lindur më 1993, Pogba përjetoi një vit 2024 të mbushur me sfida, që kulmoi me prishjen e kontratës së tij me Juventusin në nëntor. Sot, është një futbollist i lirë, një status i pazakontë për dikë që dikur konsiderohej si një nga mesfushorët më të talentuar të gjeneratës së tij. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë të isha lojtar i lirë në këtë pikë të sezonit. Nuk e kam përjetuar ndonjëherë diçka të tillë”, – pranon ai.

E ardhmja është ende e paqartë, por jo pa shpresë. “Kam marrë propozime, vijnë nga çdo anë”, – tregon Pogba, duke ruajtur misterin rreth zgjedhjes së tij të ardhshme, pas përfundimit të pezullimit për përdorim dopingu. Olympique Marseille, SHBA, Lindja e Mesme, Premier League? Të gjitha janë në lojë. Ai nuk përmend emra konkretë: “Dua të shoh çfarë më përshtatet më shumë, sepse jam në një moment vendimtar të jetës dhe karrierës sime. Është një vendim që do ta peshoj me kujdes”.

Megjithëse aktualisht është pa kontratë, Pogba nuk ka nxitim. “Gjithçka është interesante”, – komentoi shkurt për të ardhmen e tij, duke shmangur çdo spekulim të mëtejshëm. Ai nuk e përjashton as mundësinë e një rikthimi në kombëtaren franceze, duke ndjekur shembuj si André-Pierre Gignac apo N’Golo Kanté, që kanë luajtur larg Europës, por pa e humbur vendin te “Les Bleus”. Sidoqoftë, është i vetëdijshëm se gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike dhe mendore.

Përvoja e tij me lëndimet, pezullimin për shkak dopingu dhe sfidat personale e kanë ndryshuar, por jo thyer. Edhe pse vitet kanë kaluar dhe trupi nuk është më ai i Paul Pogba së viteve të arta, dëshira për të luftuar nuk është zbehur.

Përkundrazi. “Këto sprova më kanë dhënë edhe më shumë vendosmëri. Ndihem si një fëmijë që ëndërron të bëhet profesionist, – thotë ai, ndërsa buzëqeshja i rikthehet në fytyrë. – Jam bërë sërish ai Paul Pogba i vogël nga Roissy-en-Brie, që do të lërë gjurmë”.



Read it all at Bota Sot