Trajneri Slot, i ekzaltuar për rinovimin e Salah

- Bota Sot

Trajneri Slot, i ekzaltuar për rinovimin e Salah

Arne Slot doli të premten në konferencë për shtyp dhe komentoi me entuziazëm rinovimin e kontratës së Mohamed Salah me Liverpool-in, duke e cilësuar si një “sukses të madh” për klubin dhe menaxhmentin e tij.

Të premten, sulmuesi egjiptian firmosi një kontratë 2-vjeçare, duke i dhënë fund sagës së gjatë të negociatave që kishte tërhequr vëmendjen e gjithë botës së futbollit.

Marrëveshja e mëparshme e Salah do të skadonte në fund të sezonit aktual, gjë që do ta linte atë të lirë të zgjidhte destinacionin e ardhshëm. Vendimi i tij për të qëndruar në “Anfield” shihet si një fitore e rëndësishme për klubin, që arriti ta mbajë yllin egjiptian, pavarësisht alternativave të shumta që kishte në dispozicion.

Slot vlerësoi në veçanti Richard Hughes, drejtorin sportiv të Liverpool-it, për rolin vendimtar në arritjen e marrëveshjes. “Është një meritë e madhe e Richard, sepse Mo Salah, si lojtar i lirë, mund të kishte shkuar në cilindo klub në botë, – u shpreh tekniku holandez, i cili nënvizoi edhe rëndësinë simbolike që ka ky rinovim për klubin.

– Momo është i bindur se mund t’ia dalim, kjo është shumë pozitive për ne. Kur prezantojmë projektin tonë, është bukur të themi se Mo Salah ka firmosur një kontratë të re. Kjo tregon se sa ambicioz është ky klub”.

Pavarësisht “telenovelës” që shoqëroi çështjen e kontratës së re, Salah ka vazhduar të shkëlqejë në fushë, duke shënuar 32 gola në të gjitha kompeticionet, 27 prej tyre në Premier League, dhe dhënë kontribut vendimtar në rrugëtimin e “Reds” drejt titullit të 20-të kampion të Anglisë.

Slot vlerësoi gjithashtu mentalitetin e futbollistit egjiptian, duke theksuar se, pavarësisht vështirësive jashtë fushës, Salah nuk lejoi kurrë që ato të ndikonin në paraqitjet e tij: “Momo ka treguar për shumë vite sa i rëndësishëm është për klubin. Të gjithë tifozët dhe shokët e skuadrës janë shumë të lumtur që ka rinovuar edhe për dy vite të tjera”.



Read it all at Bota Sot