Mohamed Salah ka rinovuar kontratën e tij me Liverpool-in deri në vitin 2027. Menjëherë pas njoftimit zyrtar, sulmuesi egjiptian ka folur për mediat e klubit, duke shprehur emocionet, ambiciet dhe lidhjen e thellë që e lidh me qytetin dhe ekipin:
“Është fantastike të jem këtu për dy vite të tjera. Jam shumë i lumtur që kam firmosur një kontratë të re. Kemi një ekip të shkëlqyer, ashtu siç ka qenë gjithmonë në vitet e kaluara. Kam zgjedhur të qëndroj këtu, sepse besoj se mund të fitojmë trofe të tjerë”.
Te Liverpool, Salah ka jetuar vitet më të mira të karrierës së tij: “Liverpool-i do të thotë shumë për mua. Këtu kam kaluar vitet më të mira të karrierës sime. Kam kaluar tashmë 8 sezone me këtë fanellë dhe shpresoj që të bëhen 10.
E shijoj jetën, futbollin dhe gjithçka që ka të bëjë me këtë klub. Familja ime ndihet si në shtëpi. Magi dhe fëmijët ishin të ngazëllyer për lajmin. Personi më i lumtur ka qenë Makka, vajza jonë e madhe. Këtu ka miqtë, shkollën, gjithçka. Atmosfera në shtëpi ishte vërtet pozitive pas firmës së rinovimit”.
Me rinovimin e tij, Salah mund të përmirësojë vendin e tretë në klasifikimin e shënuesve më të mirë në histori të Liverpool-it: “Është një shtysë fantastike, por jam më krenar për trofetë që kam fituar me ekipin. Golat janë të rëndësishëm, sigurisht, por ajo që njerëzit do të kujtojnë me të vërtetë janë fitoret kolektive. Edhe 4 gola për të hyrë në 4 shënuesit më të mirë në historinë e Premier League? Do të ishte e bukur. Nuk është keq, por e theksoj sërish, të shënosh është e rëndësishme vetëm nëse ekipi është i përfshirë dhe lufton për objektiva të mëdhenj. Vetëm çmimet individuale, pa trofe, nuk mjaftojnë”.
Sulmuesi egjiptian ka folur gjithashtu për rolin e tij në ekip, si shembull për të rinjtë: “Më pëlqen të jem referencë për të rinjtë. Kam ardhur këtu në moshën 24-vjeçare, jam rritur si person dhe si futbollist.
Kur të rinjtë afrohen dhe bëjnë pyetje, më pëlqen. Ndonjëherë i vëzhgoj dhe shoh veten time të ri. E kuptoj presionin, por duke u rritur mësohesh ta menaxhosh atë.
Nuk zgjohem çdo ditë duke menduar se jam shembull për të tjerët, por mundohem të jem gjithmonë profesional, brenda dhe jashtë fushës.
Vij herët në klub, stërvitem seriozisht. Djemtë më të rinj janë inteligjentë, i vërejnë gjërat dhe shpesh më imitojnë. Kjo gjë po funksionon”.
Edhe 7 ndeshje nga fundi i Premier League, Liverpool-i është favorit për titullin. Salah nuk i fsheh dëshirat e tij më të mëdha: “E dua shumë këtë titull. E kam thënë që nga fillimi i sezonit: të fitoj Premier League është objektivi im.
Tifozët e meritojnë. Herën e fundit nuk mundëm të festonim siç donim. Këtë herë duam ta bëjmë atë në ‘Anfield’, nëpër rrugë, bashkë me tifozët”.