Protestat e qytetarëve serbë të paralajmëruara për ditën e shtunë dhe të diel në Graçanicë janë anuluar për shkak të tubimit në Beograd të thirrur nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Sipas mediave serbe, kjo u bë e ditur në një protestë sot nga disa qytetarë serbë para shtëpisë së shëndetësisë në Uglare të Fushë Kosovës.
Bobana Trajkoviq, njëra nga pjesëmarrëset e protestës, tha se “Kuvendi Kombëtar i të pakënaqurve, i cili angazhohet për punësim të drejtë dhe transparent në institucionet shëndetësore në Kosovë informon opinionin se nuk do të organizojnë aktivitete protestuese këtë fundjavë në Graçanicë.”
Protesta, sipas saj, do të mbahet ditën e hënë, nga ora 12:00, para shtëpisë së shëndetit në Graçanicë.
Ndërkohë, një grup serbësh nga Kosova kanë mbërritur në Beograd, për të marrë pjesë në tubimin e Vuçiq.
Ndërsa para Kuvendit të Serbisë në Beograd po mbahet tubimi i Vuçiq, studentët e Universitetit të Novi Sadit protestuan sot para ndërtesës së drejtësisë për shkak të kallëzimeve penale ndaj kolegëve të tyre, për shkak të bastisjes së policisë në Fakultetin e Mjekësisë në Nish, si dhe për shkak të, siç thanë ata, arrestimeve dhe represioneve të tjera të studentëve nëpër Serbi.
Ata marshuan nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt ndërtesës ku ndodhet Gjykata dhe Prokuroria, ku bënë zhurmë nën banderolën "Kush është i radhës?"
Më pas ata mbajtën 16 minuta heshtjeje në kujtim të masakrës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor dhe më pas shkuan në Fakultetin e Sporteve dhe Edukimit Fizik, pasi prokuroria e Novi Sadit të enjten nisi një hetim kundër dy studentëve të atij fakulteti bazuar në një kallëzim penal të dorëzuar nga kryeministri serb në largim.