Po shkruaj në emër të ndoshta të fundmit dëshmitar të këtij Gjyqi të quajtur Special, i cili me aq sa di mbetet i vetmi autor që e ka dëshmuar përmes një libërthi me 140 faqe, që ai e botoi në vitin 1995. Ai ishte im atë. Sigurisht ai pati dëshirë ta pasuronte e ta bënte më të plotë, në një moshë e cila nuk ia premtoi ta realizonte këtë synim të tij. Sot mund të them, se më shumë se një gjyq, ai qe një spektakël kriminal, me një trupë gjykuese inkompetente, ku ca xhonglerë akuzash të ashpra e pa asnjë nocion juridik, iu bashkuan ulërimës së turmës që i shoqëronte seancat me brohorimat vdekjes dhe përballë një indiferencë ndërkombëtare që kishte marrë rolin e sehirxhiut…
Ka një periudhë në jetën time, kur dëgjoja të flitej nën zë për një Gjyq Special, po s’e kisha konceptuar qartë se çka ishte ky Gjyq. Vetëm mbas vitit 1991, im atë, Lazër Radi, gjeti kurajë të ma bënte ca më të plotë këtë tablo makabre, jo vetëm përmes rrëfimeve të veta, po edhe përmes dokumenteve, që ai nisi t’i mblidhte me kujdes në Bibliotekën Kombëtare, kryesisht prej dokumenteve të paraqitura në gazetën e asaj kohe “Bashkimi”, ku Gjyqi Special shpalosej në një të përditshme agresive, poshtëruese duke i karikaturuar gjithë të pandehurit, a thua se gazeta ishte qe caktuar t’i jepte e para vendimet, turma e dyta dhe trupi gjykues thjesht i firmoste ato!
Mund të them se për Gjyqin Special munda të bisedoj me dy personazhet e fundme të mbetura gjallë. Ishin dy më të rinjtë e atij brezi: Jakov Milaj, 34 vjeçar kur u dënua dhe Lazër Radi 28 vjeç. Të dy kishin qenë nën të njëjtën hallkë prange, e që me sa di, ishin të mbijetuarit e fundit, që arritën ta prekin ndryshimin e kohërave dhe të rrëfenin diçka për atë gjyq që vuri në juridiksionin shqiptar themelet e një padrejtësie, mjaft plagë të së cilës mbeten të trashëguara deri në ditët e sotme.
I gjithë materiali i mbledhur nga gazeta “Bashkimi” po edhe nga ndonjë burim tjetër, kujtimet personale të asaj periudhe e mjaft nga bisedat me miqtë po edhe dëshmitë e “ndonjë të penduari të atij gjyqi” u përmblodhën në librin “I pari Gjyq Special”, që u botua modestisht në vitin 1995 – me rastin e 50 vjetorit të këtij Gjyqi.
Mund të them se, për “Gjyqin Special” është shkruar, por jo mjaftueshëm. Në cilësinë e përfaqësuesit të njërit prej të dënuarve të këtij gjyqi, të njeriut që mundi të takojë dy të mbijetuarit e fundit, po edhe në cilësinë e studiuesit të vëmendshëm, do të përpiqem të dëshmoj disa refleksione, të bëra në kohë, mbasi kam kaluar nëpër duar edhe dosjen e madhe të Gjyqit Special, në dy gjuhë: frëngjisht dhe shqip.
Disa veçanti, ndoshta të pa trajtuara, po i trajtoj në mënyrë retorike. Dua të dëshmoj disa të vërteta po edhe ndonjë refleksion të buruar prej leximeve të shumta, diskutimeve të herëpashershme po edhe materialeve që kam kaluar nëpër duar, që shpesh më shtyjnë të ndërmarr ndonjë hap të guximshëm, por vëllimi i madh i punës gjithnjë më ka stepur…
Nuk jam fort i qartë si ka ndodhur përcaktimi i figurave dhe mbi ç’kritere u kryen arrestimet e 60 personave që do të ishin preja tragjike e këtij revolucioni, veç mund të rrëfej se arrestimi i Lazër Radit, një prej më të rinjve (në mos më i riu) ndodhi mëngjesin e 23 nëntorit 1944, pra, 6 ditë mbas çlirimit të Tiranës dhe 5 ditë para shpalljes së Shqipërisë e çliruar. Sipas dëshmisë së tij, edhe disa personazhe të tjerë janë thirrur për “një sqarim në komandë”, po ata s’u kthyen më në shtëpitë e tyre, mbasi arrestoheshin dhe bashkoheshin në pika të ndryshme të kryeqytetit, (fillimisht te Selvia) dhe janë spostuar disa herë duke u seleksionuar për “Gjyqin Special” prej një grupi ushtarakësh që mbetet ende i panjohur. Ky formacion përzgjedhës qe edhe përcaktuesi i fatit të 60 personaliteteve të njohura shqiptare!
Gjyqi Special, sipas konceptimit tim, nuk ishte diçka e studiuar dhe projektuar nga shqiptarët. Ajo besohet të ketë qenë vazhdimësi pune e një qendre jashtë Shqipërie, e cila e ka punuar për interesa afatlargëta. Mbetem i bindur se është realizuar në mënyrën më perfide, më diabolike dhe më kriminale prej vetë shqiptarëve, duke e theksuar shprehjen se: armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë ata vetë!
Gjyqi Special në Shqipëri, u zhvillua me një farë nguti të habitshëm. Nisi para mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, prej datës 1 mars deri më 14 prill 1945, ndërkohë mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, u shpall me 9 maj 1945: Në gjyq u akuzuan 60 vetë, 17 prej të cilëve të dënuar me vdekje, 40 me rreth 486 vite burg dhe 3 të pafajshëm! Me të drejtë mund të themi se Shqipëria u ka paraprirë Gjyqeve Speciale, në vendet e tjera të përfshira nga Luftën e Dytë Botërore, që në pikëpamje të kontributeve si dhe dëmeve të pësuara, ishin tejet më të vogla se mjaft vende pjesëmarrëse në këtë luftë. Për krahasim, mund të shtojmë se Procesi i Nurembergut kundër nazizmit, u zhvillua prej 20 nëntorit 1945 deri më 1 tetor 1946, ku u akuzuan 24 vetë dhe 11 prej tyre u dënuan me vdekje! Shifrat krahasuese mbeten dëshmia më e qartë e një abuzimi substancial juridik, ndërkohë që krimi shtetëror po instalohej me të shpejtë në Shqipëri.
Sipas dëshmisë së Lazër Radit, flitej për një gjyq të madh, po askush s’e përcaktonte as kohën dhe as pjesëmarrësit e akuzës që do të ishin pjesë e këtij gjyqi. Një frymë pezull shfaqej gjatë gjithë kësaj periudhe. Deri në janar 1945, u përgatit terreni ligjor, vendi dhe njerëzit, (edhe pse mjaft inkompetentë në pikëpamjen juridike), që do ta drejtonin Gjyqin Special. Brenda një kuadri dënimesh shembullore do të dëshmohej egërsia dhe barbaria e regjimit të ri, si edhe frika e terrori që duhej të përcillte në popull ky event historik. Përmes këtij Gjyqi, njerëzve të pushtetit të ri u jepej garanci e siguri për dhunën që do të ushtrohej në marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, edhe përmes kësaj vale dënimesh të ashpra ndaj gjithë atyre që kishin pasur pushtet o njëfarë pushteti, para instalimit të regjimit komunist.
Po sipas dëshmive të Lazër Radit, të arrestuarit që u paracaktuan për Gjyqin Special, “qenë me fat”, pasi ndaj tyre nuk u ushtrua dhunë. Ai dëshmonte se në dhomat dhe “kaushët” ku mbaheshim në izolim personat e paracaktuar për Gjyqin Special, kishte edhe shumë prej atyre që u kërkohej ari, pasuria, apo intelektualë, dhe njerëz të thjeshtë që po pësonin një dhunë shtazarake. “Ishte e tmerrshme të dëgjoje ulërimat dhe rënkimet e tyre prej asaj dhune kafshërore që ushtrohej ndaj tyre vetëm pse ishin të pasur, të shkolluar jashtë, apo thjesht kundërshtarë mendimesh. I frikeshim asaj dhune, e cila nga çast në çast mund të ushtrohej edhe ndaj nesh!”
E vërteta është se ndaj të akuzuarve në Gjyqin Special, s’është ushtruar kjo lloj dhune, dhe kjo përbën një habi të madhe!
Gjatë periudhës së hetuesisë, familja e Lazër Radit, e cila ndodhej afër qendrës, u nxor nga banesa, u la në rrugë të madhe, vetëm me rrobat e trupit. Ata u detyruan të strehohen tek të afërm apo të njohur të tyre. Ndërsa zhvilloheshin seancat gjyqësore ndaj Lazër Radit, atij i vdes edhe vajza 11 muajsh, e cila s’mundi ta përballonte atë situatë tmerri. Gjatë procesit gjyqësor, ai u detyrua ta përmendë këtë fakt, si një masë zbutëse ndaj dënimit të tij!
Gjatë zhvillimit të këtij gjyqi, qe përhapur fjala se numri i të dënuarve me vdekje, do të ishte tejet i madh. Shumica e të akuzuarve duke mos u ndjerë fajtorë të asaj shkalle u tkurr në përpjekje t’i shpëtonin vdekjes. Avokatia edhe pse guxoi ta mbrojë të vërtetën u shndërrua në farsë. Presioni ishte aq i madh sa guximi për të thënë të vërtetën rrezikonte më shumë se pranimi i fajeve të akuzuara! Edhe pse në gjyq nuk u provua as bashkëpunimi dhe as krimi i organizuar, dënimet tejkaluan çdo parashikim. Numri i personaliteteve që u dënuan me vdekje ishte tejet i madh dhe i pajustifikueshëm. I justifikueshëm u bë mbasi iu dha jo vetëm krejt pushteti aventurierëve politikë po edhe iu garantua edhe jetëgjatësia e atij pushteti. Sot nga lartësitë e kohës faktet flasin qartë! Gjurmët e atij pushteti që nisi prej Gjyqit Special vazhdojnë edhe sot me inercinë e së keqes.
Gjyqi Special më shumë se një gjyq po të viheshin themelet e një drejtësie të quajtur “popullore” u dëshmua një spektakël jakobin i atyre që po mvisheshin me një pushtet të pakufi, për një periudhë thuaj gjysmë shekullore. Ai u zhvillua nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve, turfullimin rebel të turmave, që ndërseheshin barbarisht ndaj personaliteteve të njohura të politikës, kulturës dhe inteligjencës shqiptare. Gjyqi Special shërbeu si “shkollë” e edukimit komunist, si model i një shoqërie e cila do të vazhdonte të prodhonte krim eksponencial.
Në seancat e këtij procesi do të ishin të pranishëm përfaqësuesit e fuqive fituese. Së pari jugosllavët, që ishin edhe misionarët e organizimit të kësaj lufte; së dyti sovjetikët që sipas Jaltës, përqindja e ndarjes së Shqipërisë ishte 50/50, pra ata kishin interesa të dukshme; së treti francezët që e ndiqnin atë spektakël si një revolucion gijotinash; së katërti edhe amerikanët që anglosaksonizmin e tyre e deleguan te misionet angleze, detyra e të cilëve ishte ta bënin sa më të plotë trukun e gjoja shpëtimit të Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit, ndërkohë që kishin bërë gjithçka kundra nacionalistëve, që pushteti t’u kalonte sa më i plotë të ashtuquajturve komunistë, po që nën rrogoz luheshin të tjera projekte.
Gjyqi Special i bëri jehonë dhunës së turmës, dhunës verbale, dhunës juridike dhe një terminologjie agresive. Ai përdori si tribunë të drejtësisë njerëz jo kompetente që shumë shpejt do të hidheshin në koshin e plehrave. Aty u dëshmua para syve të botës se një vend i vogël kishte fuqinë dhe barbarinë e nevojshme të ndëshkonte të gjitha shtresat me dritë të një shoqërie, duke e tulatur çdo vlerë që nuk përputhej me ideologjinë e fitimtarëve!
Një punë jashtëzakonisht e rafinuar u bë edhe me terminologjinë e përdorur nga ky Gjyq. Mjaft terma që u përdorën aty për herë të parë, do fitonin një përditshmëri shekullore të frikshme. Terma si: “kriminel lufte” “armik i popullit, “bashkëpunëtor i armikut”, “spiunë të fashistëve”, “luftë klasore” po edhe emërtime agresive si: “ballist”, “zogist”, “fashist” “kuisling”. Në veçanti nocioni “ballist” mori një konotacion tejet negativ, sa ende sot politika ka po atë përdorim agresiv si para 80 vitesh.
Në përfundim mund të them se Gjyqi Special edhe pse ngjarje nyje, ka mbetur i anashkaluar prej një trajtimi të mirëfilltë historik. Sot mund ta përkujtojmë atë thjesht si Gjyqi që dënoi klasën politike shqiptare të kohës, shumë më rëndë se Nurembergu nazistët që organizuan gjithë një luftë botërore.
GJYQI I PARË SPECIAL TIRANË 1 MARS 1945- 13 PRILL 1945
Gjykata Speciale e Tiranës – Vendim në “Emër të Popullit”
Gjykata Speciale e Tiranës, e formuar prej
1.Koçi Xoxe, – Kryetar, Gjeneral-Lieutenant
2.Halim Budo, – anëtar, Gjyqtar
3.Gaqo Floqi, – anëtar, Gjyqtar
4.Hysni Kapo, – anëtar, Kolonel
5.Beqir Balluku, – anëtar, N/Kolonel
6.Dr. Medar Shtylla, – anëtar,
7.Faik Shehu – anëtar,
8.Bilbil Klosi – anëtar, N/Kolonel
9.Gjon Banushi – anëtar, Major
Me asistencën e sekretarëve Kozma Toçi dhe Mustafa Çizme, duke qenë prezent Prokurori i Popullit – Gjeneral Major Bedri Spahiu, u mbloth në sallën e gjykimeve dhe
Vendosi:
Fajtorinë e të pandehurve me cilësitë e ndëshkimet si vijojnë:
1-Ndëshkim me vdekje të
kriminelëve të luftës:
1.Fejzi Alizoti
2.Terenc Toçi
3.Aqif Përmeti
4.Gustav Mirdashi
5.Kostandin Kote
6.Hilmi Leka
7.Reshit Merlika
8.Beqir Valteri
9.Javer Hareshiti
10.Dik Cami
11.Ismail Golemi
12.Zef Kadarja
13.Tahsim Bishqeni
14.Shyqyri Borshi
15.Daut Çarçani
16.Kol Tromara
17.Bahri Omari
18.Qemal Vrioni
19.Tefik Mborja
Por në bazë të nenit 16, të ligjës së naltpërmndur në kundërshtim me kërkimin e prokurorit, krimineli i luftës Qemal Vrioni, duke u dorëzuar mbrenda afatit të caktuar në shpalljen e Kryesisë së Këshillit, i kthehet me burgim të përjetshëm dhe me punë të detyrueshme.
ë kabinetit të Vërlacit, që në 1941, është tërhequr kryekëput nga jeta politike dhe nga bashkëpunimi në çdo formë me qeveritë kuislinge të një-pas-njëshme që kanë ardhur pas kësaj date, megjithëqë i janë bërë presione të shpeshta për të marrë pjesë në kabinetet dhe organizatat tradhtare të ndryshme. Nga ana tjetër edhe gjatë kohës që ka qenë si ministër ka dhënë 2 herë dorëheqjen si shenjë protestë kundra masave shtypëse fashiste dhe mbas Konferencës së Pezës ka simpatizue lëvizjen tue e ndihmue këtë herë pas here në mënyra të ndryshme, përfiton nga shkaqet lehtësore, dhe ndëshkimi i tij me vdekje i kthehet në 30 vjet burgim, me punë të detyrueshme
2-Për Armiqtë e Popullit
1.Koço Kota
2.Xhavit Leskoviku
3.Koço Tasi
3-Për Kriminelët e Luftës
4.Ibrahim Biçaku
5.Xhevat Korça
6.Rifat Begolli
7.Bajram Pustina
8.Shuk Gurakuqi
Ndëshkimin e tyre me burgim të përjetshëm dhe punë të detyrueshme
3-Për Kriminelët e Luftës dhe Armiqtë e Popullit
1.Sokrat Dodbiba
2.Mihal Zallari
3.Et’hem Cara
4.Ndoc Naraçi
5.Andon Kozmaçi
6.Lazër Radi
7.Sami Koka
8.Sulejman Vuçiterni
Nga 30 vjet burg dhe punë të detyrueshme.
4-Për Armiqtë e Popullit:
1.Mihal Sherko
2.Akile Tasi
3.Fiqiri Llagami
Nga 20 vjet burg dhe punë e detyrueshme.
5-Për Armiqtë e Popullit ose Kriminelë Lufte:
1.Gjergj Bubani
2.Rrok Kola
3.Bilal Nivica
4.Ismet Kryeziu
5.Jakov Milaj
Nga 15 vjet burg e punë e detyrueshme.
6-Për Armiqtë e Popullit
1.Rrok Gera
2.Nedin Kokona
3.Rifat Tartari
4.Ihsan Libohova
5.Vangjel Goxhomani
Nga 10 vjet burg e punë e detyrueshme.
7-Për Armiqtë e Popullit
1.Emin Toro
2.Zef Benussi
3.Mahmut Golemi
4.Zija Bejleri
5.Manush Peshkëpia
Nga 5 vjet burg e punë e detyrueshme.
8-Për Armiqtë e Popullit
1.Zejnel Prodani
2.Sami Visoka
Nga 3 vjet burg e punë e detyrueshme
9.Për Armikun e Popullit
Zef Shiroka
2 vjet burg, po mbasi është tërheqë nga jeta politike dhe gjatë kohës që ka qenë ministër ka treguar akte… duke pezulluar vuajtjen e ndëshkimit me konditë që për 5 vjet të mbajë një qëndrim politik të denjë.
10-Për të pandehurit Luigj Filaj dhe Abdurrahman Telqiu vendosi pafajësinë për mungesë provash.
Urdhërohet lirimi nga burgu i Luigj Filajt, Abdurrahman Telqiut, Dedë Jakova, Zef Shiroka dhe Abedin Xhiku.
Për të gjithë fajtorët që kanë ndëshkim më tepër se 5 vjet burgim, urdhërohet konfiskimi i pasurisë së lujtëshme dhe të palujtëshme në konfirmim të dispozitave ligjore në fuqi dhe humbjen e të drejtave civile e politike.
Tiranë, më 13 prill 1945
I pari Gjyq Special në Shqipëri
Gjykata Speciale e Tiranës – Firmat
1.Koçi Xoxe, – Kryetar, Gjeneral-Lieutenant
2.Halim Budo, – anëtar, Gjyqtar
3.Gaqo Floqi, – anëtar, Gjyqtar
4.Hysni Kapo, – anëtar, Kolonel
5.Beqir Balluku, – anëtar, N/Kolonel
6.Dr. Medar Shtylla, – anëtar,
7.Faik Shehu – anëtar,
8.Bilbil Klosi – anëtar, N/Kolonel
9.Gjon Banushi – anëtar, Major