Reali sytë te Mbappe për përmbysjen e Arsenalit

- Bota Sot

Reali sytë te Mbappe për përmbysjen e Arsenalit

Kylian Mbappe iu bashkua Real Madridit në kërkim të lavdisë së Ligës së Kampionëve, duke shpresuar të jetë aty pikërisht në atë lloj nate magjike që u nevojitet kundër Arsenalit të mërkurën nëse duan të kalojnë në gjysmëfinale.

“Topçinjtë” kryesojnë 3-0 pasi shpartalluan kampionin aktual në Londër javën e kaluar në ndeshjen e parë çerekfinale, duke e lënë Madridin të dëshirojë një lloj rikthimi dramatik për të cilin janë të njohur 15 herë fituesit e kësaj gare.

Rikthimi nga një humbje me tre gola do të ishte një hap më tej se çdo gjë që “Los Blancos” kanë arritur deri më tani, por pikërisht kjo është arsyeja pse ata u përpoqën të joshin Mbappe në klub për vite me radhë.

Fuqia shpërthyese e superyllit francez i jep Real Madridit shpresë për të arritur atë që duket të jetë e pamundur.

“Sigurisht që mundemi”, tha Mbappe në daljen e tij nga “Emirates” të martën e kaluar, duke u nisur drejt autobusit të ekipit pas fitores mahnitëse të Arsenalit, përcjellë KosovaPress.

Declan Rice shënoi dy gola të shkëlqyer dhe gjuajtja e goli i Mikel Merino ndihmoi skuadrën e Mikel Artetës të vendosë një këmbë në katërshen e fundit.

Arsenali do të jetë plotësisht i vetëdijshëm se puna nuk ka përfunduar ende, pasi ka parë ndikimin shkatërrues të Mbappe kundër kampionëve të Premier League, Manchester City në fillim të këtij sezoni.

Mbappe shënoi një hat-trick kundër skuadrës së Pep Guardiolës në shkurt në “Santiago Bernabeu” në raundin e play-off-it, duke ndihmuar Madridin të eliminojë Cityn 6-3 në total.

Mbappe ka 33 gola në 49 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, duke e krahasuar atë me golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Madridit, Cristiano Ronaldo në sezonin e tij të parë në klub.

Mbappe erdhi në Madrid për të shtuar historinë e tyre të pasur dhe vizita e Arsenalit paraqet një mundësi ideale.

“Duhet të besojmë, duhet të kemi besim”, tha trajneri Carlo Ancelotti javën e kaluar. “Sepse ndonjëherë, shumë shpesh në Bernabeu, ndodh”, shtoi ai.



Read it all at Bota Sot