Vazhdon përplasja ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi”

- Bota Sot

Vazhdon përplasja ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi”

Për më shumë se pesë muajsh, po vazhdon konflikti ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi” lidhur me pagesat për shërbimet e mbeturinave. Kjo situatë ka krijuar paqartësi dhe shqetësim te qytetarët, të cilët nuk e kanë të qartë se ku duhet t’i paguajnë faturat.

Të enjten, Komuna e Prishtinës reagoi publikisht, duke kërkuar nga qytetarët që pagesat për pastrim t’i bëjnë drejtpërdrejt në Komunë. Po ashtu, u kërkua që të gjithë ata që tashmë kanë paguar faturat në Ndërmarrjen “Pastrimi”, të dorëzojnë dëshmitë përkatëse, pasi ato do të njihen si të vlefshme.

Qytetarët që deri më tani kanë kryer pagesat në kompaninë “Pastrimi”, mund të paraqesin dëshmitë përkatëse dhe ato fatura do t’u llogariten të paguara. Ju ftojmë që të gjitha pagesat për pastrim t’i bëni në Komunë”, thuhet në njoftim e Komunës së Prishtinës.

E, pas kësaj reagoi Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, ndaj veprimeve të fundit të Komunës së Prishtinës, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe të paligjshme.

Në një deklaratë për media, “Pastrimi” ka shprehur shqetësimin për njoftimet që po u bëhen qytetarëve nga Komuna, ku thuhet se pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen pranë Komunës dhe jo pranë kompanisë, siç përcaktohet në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

“Ky veprim është në kundërshtim të plotë me rregulloren në fuqi dhe me kompetencat tona ligjore si ndërmarrje publike e licencuar për ofrimin dhe faturimin e shërbimeve të pastrimit në kryeqytet,” thuhet në reagim.

Kompania thekson se përkundër përpjekjeve për bashkëpunim institucional, Komuna po ndërmerr vendime që rrezikojnë seriozisht funksionimin financiar të ndërmarrjes dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Për këtë arsye, “Pastrimi” i është drejtuar Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve hetimore me kërkesë për ndërhyrje urgjente.

Sipas ndërmarrjes, ekziston dyshimi se po tentohet të pengohet operimi i saj për t’i hapur rrugë tenderëve të dyshimtë për kontrata me operatorë privatë, në vlerë mbi 20 milionë euro.

“Pastrimi” shprehet i vendosur të vazhdojë misionin për shërbime cilësore dhe mbrojtjen e ligjshmërisë, duke ftuar edhe qytetarët që të jenë mbështetje në këtë situatë.

“Komuna e ka humbur kontrollën, duke devijuar nga çdo rrugë e përcaktuar ligjore,” përfundon reagimi i ndërmarrjes.

Në fund të komunikatës, “Pastrimi” ka bashkëngjitur edhe Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, ku përcaktohet qartë institucioni përgjegjës për arkëtimin e pagesave për shërbimet e pastrimit.



Read it all at Bota Sot