Nuk pati mrekulli këtë herë. Real Madridi është rrëzuar dhe i ka thënë lamtumirë Ligës së Kampionëve në çerekfinale, nën goditjet e Arsenalit të Mkel Artetës. Pas humbjes 3-0 në Londër, erdhi edhe një tjetër disfatë, 2-1 në sfidën e kthimit të zhvilluar në "Santiago Bernabeu".
Asnjë dramë për shumicën e klubeve në botë, por bëhet fjalë për skuadrën që ka fituar 6 nga 11 edicionet e fundit të këtij kompeticioni, ndaj debati për atë që nuk po funksionon është ndezur menjëherë, veçanërisht rreth figurës së Carlo Ancelottit dhe të ardhmes së tij.
Kujtojmë se aktualisht Real Madridi është 4 pikë pas Barcelonës në La Liga dhe finalist i Kupës së Mbretit, ku do të përballet me Barcelonën më 26 prill.
Për këto tema ka folur Ramon Calderon, presidenti i Real Madridit nga 2006 deri më 2009. Gjatë mandatit të tij, ai fitoi dy kampionate dhe një Superkupë të Spanjës në tri sezone.
Çfarë po ndodh me Real Madridin?
Thjesht, nuk është e mundur të fitosh gjithmonë. Këtë vit kemi pasur disa dëmtime, pastaj mungesa e Toni Kroos dhe mosha e Modrić kanë ndikuar në ecurinë e mesfushës, por ende mund të fitojmë Kupën e Mbretit, jemi në garë për titullin e La Liga-s. Duhet të konsiderojmë se sezoni nuk është i humbur, edhe pse është e vërtetë që dalja nga Champions League përbën gjithmonë zhgënjim të madh për klubin tonë.
Nëse do të ishe president sot, do ta shkarkoje Ancelottin apo do t’i jepje besim?
Ancelotti është një nga trajnerët më të mirë që ka pasur ndonjëherë klubi ynë dhe, sipas meje, duhet të qëndrojë sa të dojë. E njeh shumë mirë Real Madridin, di si ta menaxhojë dhomën e zhveshjes plot me yje, sepse vetë ka qenë një yll. Nuk kërkon kurrë të jetë në qendër të vëmendjes dhe, nga ana taktike, ka treguar në shumë raste se është strateg i mirë. Duhet të kujtojmë që sezonin e kaluar fitoi Champions League dhe La Liga-n.
Te Real Madridi, edhe më të mirët e historisë, kur nuk japin më, duhet të largohen. A ishte e vështirë për ju ta shisnit Ronaldon te Milani?
Është gjithmonë e vështirë të heqësh dorë nga një lojtar i jashtëzakonshëm si Ronaldo. Një nga futbollistët më të mirë që kam parë ndonjëherë në jetën time të gjatë si tifoz. Ishte njeri i madh edhe jashtë fushës. Duhej të pranoja, si gjithmonë, vendimin e drejtorit sportiv dhe trajnerit, që kishin kuptuar se kishte ardhur momenti për ta larguar.
Çfarë mendoni për Nico Paz dhe Arda Güler, dy talente të Real Madridit, që janë përfolur në Itali për transferim tek Interi?
Janë lojtarë shumë të mirë dhe për këtë arsye është logjike që Interi, apo çdo skuadër e mirë dhe e nivelit të lartë, t’i kërkojë. Nuk i njoh qëllimet e klubit madrilen për të ardhmen e tyre.
A ju ka lënë përshtypje Interi? A mund t’ia dalin lojtarë si Lautaro dhe Thuram kundër Barcelonës?
Interi ka treguar se është një skuadër e madhe në çdo kompeticion ku ka marrë pjesë, është pretendent serioz për ta fituar këtë Champions League. Lautaro, Thuram dhe pjesa tjetër e skuadrës sigurisht që do t’i shkaktojnë probleme Barcelonës. Nuk do të jetë një sfidë e lehtë, sepse edhe Barcelona është në formë të shkëlqyer.