Guirassy udhëheq me 13 gola, ndjek Raphina me 12 realizime

- Bota Sot

Guirassy udhëheq me 13 gola, ndjek Raphina me 12 realizime

Përtej garës për të fituar trofen e Champions League, një tjetër garë mjaft interesante po zhvillohet për Këpucën e Artë të këtij kompeticioni.

Me përfundimin e fazës çerek-finale, tashmë është krijuar një panoramë më e qartë mes ‘goleadorëve’ të cilët mund të arrijnë të fitojnë këtë çmim prestigjioz në fund të turneut.

Aktulisht vendin e parë në tabelën e golashënuesëve e mban sulmuesi i Dortmund-it, Serhou Guirassy, i cili numëron 13 gola dhe 4 asiste.

Ai shkëlqeu në sfidën e dytë çerek-finale ndaj Barcelonës, teksa shënoi plot 3 gola ndaj katalanasve, por kjo nuk mjaftoi për ‘verdhezinjtë’ pasi ata u eliminuan dhe kjo sjell edhe pamundësinë e bomberit nga Guinea, për të shënuar të tjerë gola në këtë kompeticion.

Por edhe pse gjendet në krye të tabelës së golashënuesëve, Guirassy mund të humbë pozitën e tij, sepse menjëherë pas tij vjen Raphinha i Barcelonës me 12 gola dhe 7 asiste.

Sulmuesi brazilian ndodhet vetëm 1 gol larg dhe potencialisht ai është ende në garë, teksa ‘blaugranasit’ do të lujnë në fazën gjysmë-finale me Inter-in.

Në këtë mënyrë Raphinha ka të paktën 180 minuta në avantazh për të gjetur rrjetën ndaj ‘zikaltërve’ dhe për të marrë kryesimin si lider i golave në Ligën e Kampionëve.

Në vendin e tretë ndodhet Harry Kane. Sulmuesi anglez është ndalur në kuotën e 11 golave dhe 2 asisteve.

Ai nuk ka mundësinë për të vijuar të shënoj gola të tjerë pasi Bayern Munich u eleminua në çerek-finale nga Inter-i.

Një kandidat potencial për Këpucën e Artë është edhe Robert Lewandowski. ‘Bomberi’ polak i Barcelonës ka tundur rrjetën 11 herë deri më tani në Champions.

Ndërkohë, Barcelona është skuadra që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon në Ligën e Kampionëve, me 37 gola të tillë. Dy skuadrat gjermane, Bayern Munich dhe Dortmund ndjekin skuadrën e Hansi Flick me nga 31 gola secili.

Sakaq, Arsenal-i dhe PSG-ja që do të përballen në gjysmë-finale me njëri-tjetrin kanë shënuar nga 30 gola. Lojtarët e Interit kanë gjetur rrugën e rrjetës 19 herë.



Read it all at Bota Sot