Gjermania bllokoi dërgimin e 40 aeroplanëve të fuqishëm luftarakë në Turqi

- Bota Sot

Gjermania bllokoi dërgimin e 40 aeroplanëve të fuqishëm luftarakë në Turqi

Qeveria e përkohshme gjermane, e udhëhequr nga Socialdemokratët dhe të Gjelbrit, ka bllokuar eksportin e planifikuar të 40 aeroplanëve luftarakë Eurofighter Typhoon drejt Turqisë, raportoi mediumi gjerman Handelsblatt, duke iu referuar burimeve të njohura me diskutimet e brendshme konfidenciale.

Sipas burimeve nga qeveria gjermane, arsyeja kryesore për ndalimin e lejes së eksportit është arrestimi i politikanit opozitar turk, Ekrem Imamoglu, për akuza për korrupsion – një veprim që zyrtarët në Berlin e kanë përshkruar si “sulm ndaj demokracisë turke”.

Opozita në Turqi pohon se akuzat ndaj Imamoglu-t janë të motivuara politikisht.

Kujtojmë se ish-kryebashkiaku i Stambollit u arrestua më 23 mars, për shkak të dyshimeve për veprime korruptive. Akuzat ndaj tij përfshijnë blerjen e dyshimtë të tri vilave në një nga zonat më atraktive të Stambollit, përmes një kompanie ndërtimi që i përket familjes së tij, ku ai zotëron 60 për qind të aksioneve.

Sipas dokumenteve zyrtare, një bashkëpunëtor i ngushtë biznesi i Imamoglut i ka blerë vilat në emër të tij dhe, pas tre vitesh, ia ka kaluar pronësinë kompanisë së Imamoglut për një çmim të ulët.

Megjithëse kancelari në largim Olaf Scholz kishte shprehur mbështetje për eksportin e pajisjeve ushtarake drejt Turqisë gjatë vizitës në Stamboll në tetor 2024, arrestimi i Imamoglut ka sjellë një ndryshim qëndrimi.

“Turqia është anëtare e NATO-s dhe prandaj ne vazhdimisht marrim vendime që çojnë drejt dërgesave konkrete”, kishte deklaruar më herët Scholz.

Programi Eurofighter Typhoon është një projekt i përbashkët i Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës dhe Italisë. Politika restriktive e Gjermanisë ndaj eksportit të armëve ka shkaktuar prej kohësh tensione brenda konsorciumit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Franca shpesh e kanë kritikuar qëndrimin e Berlinit.

Përpjekjet për harmonizimin e rregullave evropiane mbi eksportin e armëve janë përfshirë në strategjinë gjermane të industrisë së mbrojtjes dhe në marrëveshjen e koalicionit qeverisës, e cila bën thirrje për një dhënie më të shpejtë dhe më të koordinuar të lejeve të eksportit, veçanërisht ndërmjet aleatëve brenda NATO-s.



Read it all at Bota Sot