Sandro Tonali mund të jetë goditja e madhe e merkatos verore për Juventusin. Emri i mesfushorit italian është lidhur prej javësh me “Zonjën e Vjetër”, e cila është në kërkim të një regjisori të vërtetë për t’i besuar organizimin e lojës.
Pavarësisht se kush do të jetë trajneri i ardhshëm, drejtori sportiv Cristiano Giuntoli dëshiron ta rikthejë në Itali ish-lojtarin e Milanit.
Por pengesa kryesore mbetet Newcastle, që është pranë kualifikimit në Champions League edhe falë paraqitjeve të Tonalit dhe nuk pranon të ulet në tavolinë pa një ofertë prej të paktën 70 milionë eurosh.
Për më tepër, rikthimi në Itali për Tonalin është gjithashtu i diskutueshëm, për shkak të tensioneve të fundit që lidhen me përfshirjen e tij në çështjen e basteve, që ka trazuar futbollin italian.
Së fundmi, në skenë ka dalë edhe Dusan Vlahovic. Sulmuesi serb, me kontratë që skadon në pak më shumë se një vit, nuk pranon të rinovojë me kushte më të ulëta dhe është gjithnjë e më pranë largimit.
Newcastle, që kërkon përforcime në sulm për pjesëmarrjen në Champions, është ndër të paktët klube që mund t’i ofrojnë Vlahovic një pagë prej 12 milionë eurosh në sezon – aq sa pritet të përfitojë nga Juventusi, nëse qëndron në Torino.
Juve ofron para dhe shkëmbime – në lojë edhe emri i Vlahovic.
Për të arritur marrëveshjen, Juventus mund të propozojë një ofertë të përzier: 30-40 milionë euro plus një lojtar si pjesë e marrëveshjes.
Fillimisht u përfol emri i Douglas Luiz, mesfushor që nuk ka lënë shumë gjurmë në Serie A, por që ka admirues në Premier League dhe mund të shihet si pasuesi i Tonalit në Angli.