Në Prizren përkujtohet dëshmori, Alush Kryeziu, në 33 vjetorin e rënies heroike

- Gazeta e Prizrenit

Në Prizren përkujtohet dëshmori, Alush Kryeziu, në 33 vjetorin e rënies heroike

Familjarë, miq, bashkëveprimtarë, ish eprorë të lartë të UÇK-së e qytetarë, të shtunën kanë përkujtuar dëshmorin Alush Kryeziu, në 33 vjetorin e rënies heroike, duke bërë homazhe tek lapidari i tij në lagjen “Ortakoll, aty ku ka rënë për liri.

Bashkëveprimtarja e dëshmorit, Shqipe Rexha, tha se emri i Alushit do të përkujtohet e nderohet me shekuj të tëra. I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ish komandanti i UÇK-së, Ruzhdi Saramati, i cili theksoi se fjalët janë të pakta për të përshkruar veprimtarinë e dëshmorit, Alush Kryeziu.

Në emër të familjes, të gjithë ata që nderuan dëshmorin i ka falënderuar djali i tij, Petriti, i cili tha se sakrifica e të gjithë dëshmorëve na shërben si amanet për ta dashur atdheun më shumë dhe për të punuar me nder e drejtësi.

Alush Kryeziu, për veprimtarinë e tij atdhetare, u kishte rënë në sy të spiunëve, dhe në mesnatën e datës 19 prill 1992, në lagjen “Ortakoll”, atij i vihet prita, ku qëllohet pas shpine me plumba nga policë serbosllav.

Duke mos i mbijetuar plagëve vdekjeprurëse, ai dha jetën për liri, pasi kishte qëndruar gjatë i plagosur dhe pa ndihmë. Kumti pikëllues për vrasjen pas shpine të Alushit e mbuloi tërë Prizrenin me rrethinë dhe mbarë popullin shqiptar të Kosovës./Tv Prizreni



Read it all at Gazeta e Prizrenit