Kryetrajneri i Shkëndijes: Ndeshja ishte me tension të lartë

- Bota Sot

Kryetrajneri i Shkëndijes: Ndeshja ishte me tension të lartë

Shkëndija e Tetovës kryen me sukses detyrën në xhiron e 28-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke mundur 3:2 Besën e Dobërdollit në Gostivar.

Dy gola për vendasit shënoi Selmani, derisa Shkëndija përmbysi me Ibraimin (me penalti) dhe Tambën, ndërsa fitoren e solli Merxhani me gol 10 minuta para fundit të ndeshjes. 

…triumfi…

Jeton Beqiri: “Ndeshja ishte me tension të lartë për shkak se luajtëm përballë një skuadre që luan për mbijetesë dhe ne luajmë me presionin e të qenurit të parët në renditje.

Nuk më pëlqeu loja, ishim të tensionuar dhe e nisëm lojë keq.

Pastaj edhe pas avantazhit nuk e menaxhuam si duhet, mendoj se pas rezultatit 2:1 kishim mundësi për ta mbyllur ndeshjen. por ndonjëherë këto fitore janë më të bukura, më emocionale dhe mirë për tifozët, pavarësisht se për ne nuk është shumë e preferueshme të ketë shumë rikthime. Megjithatë në kushte si këto kur edhe fusha nuk është optimale, derisa frynte erë që na shfaqte probleme, mendoj se u zhvillua duel i pëlqyeshëm për nivelin e kampionatit tonë.”

…hap plus drejt titullit…

Jeton Beqiri: Ne kemi 4 pikë përparësi, të cilat në këtë moment nuk janë të mjaftueshme për të na lënë të qetë.

Duhet të jemi të koncentruar dhe të punojmë shumë në çdo ndeshje, javë pas jave, me qëllimin e vetëm që minimalisht të ruajmë këtë distancë të pikëve. Por dihet se tani fillojnë ndeshjet direkte ndërmjet skuadrave të kreut, ndoshta mund të gabojmë edhe ne, mund të gabojnë edhe rivalët.

Prandaj është me rëndësi të jemi pozitivë, të qëndrojmë me këmbë në tokë pasi asgjë nuk ka mbaruar. Ka edhe 5 xhiro, edhe 15 pikë janë në lojë. Ne jemi favorit i lehtë për momentin, por këtë duhet ta konfirmojmë në 5 ndeshjet e ardhshme.”

…pas dy ndeshjeve luajmë me spektatorë…

Jeton Beqiri: “Falënderim i veçantë për tifozët të cilët krijuan atmosferë shumë të mirë.

Një përkrahje brenda 90-të minutave për ne, natyrisht edhe vendasit kishim mbështetësit e tyre. Mbi të gjitha rëndësi kishte ne të merrnim tre pikët dhe kur ke presionin e këtij objektivit ndonjëherë ndodh që të çalojmë në lojë.

Në përgjithësi unë nuk jam i kënaqur me mënyrën si luajtëm sot, pavarësisht se kampionati ka edhe ndeshje si kjo. Por unë besoj gjithmonë se ekipet e mira edhe kur nuk luajnë mirë fitojnë.”



Read it all at Bota Sot