Mërgimtarët që po largohen nga Kosova po përballen me pritje të gjata në disa nga pikëkalimet kufitare kryesore të vendit.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK), kolona të gjata janë krijuar sidomos në pikat kufitare të Dheu i Bardhë dhe Merdarë.
Në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, pritjet për të dalë nga territori i Kosovës janë aktualisht rreth një orë.
Ndërkohë, në Merdar – që është një nga pikat më të frekuentuara nga bashkatdhetarët – koha e pritjes arrin nga 1 orë deri në 1 orë e 10 minuta, varësisht nga fluksi i automjeteve.
Në anën tjetër, në të gjitha pikat e tjera kufitare të vendit, qarkullimi është i lirë dhe pritjet nuk zgjasin më shumë se 3 deri në 5 minuta, bëjnë të ditur autoritetet.
QKMK u bën thirrje qytetarëve që të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë parasysh gjendjen aktuale në kufij dhe, nëse është e mundur, të zgjedhin pika alternative për dalje nga vendi, me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata.
Këto pritje po ndodhin si pasojë e rritjes së ndjeshme të numrit të automjeteve, veçanërisht gjatë fundjavave dhe në periudhën e kthimit të mërgimtarëve drejt vendeve ku jetojnë e punojnë.