Megjithë armëpushimin 30-orësh për Pashkët, që shpalli presidenti rus Vladimir Putin, Ukrania dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për sulme të vazhdueshme.
Pavarësisht armëpushimit të Pashkëve të shpallur nga Moska, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në platformën X se mëgjesin e së dielës ka pasur bombardime dhe luftime të vazhdueshme nga pala ruse.
Forcat e armatosura të Ukrainës raportuan për 59 goditje me granata nga pala ruse si dhe për pesë tentativa për sulme përgjatë vijës së frontit. Po ashtu njoftohet se Rusia po përdor përsëri dronë.
“Ne e dimë shumë mirë se si manipulon Moska dhe jemi të përgatitur për çdo gjë”, tha presidenti Zelensky.
“Çdo goditjeje ruse do t’i përgjigjemi në mënyrë të përshtatshme”, shtoi Zelenksy, sipas të cilit fjalëve të Moskës nuk mund t’u besohet.
Megjithatë presidenti ukrainas pranoi: “Në disa zona situata është qetësuar”.
“30 ditë do t’i jepnin paqes një shans”
Presidenti ukrainas deklaroi njëkohësisht se Ukraina nga e saj është e gatshme të respektojë armëpushimin.
“Nëse Rusia është tani papritur e gatshme të angazhohet vërtet për një heshtje të plotë dhe të pakushtëzuar (të armëve), Ukraina do të veprojë në përputhje me rrethanat”, shkroi Zelensky në X.
Ai propozoi gjithashtu zgjatjen e armëpushimit përtej së dielës së Pashkëve.
“30 ditë do t’i jepnin paqes një shans”, shkroi Zelensky.
Për miliona ukrainas, Pashka është “një nga festat më të rëndësishme”, shtoi Zelensky në video-mesazhin e tij me rastin e Pashkëve.
“Dhe miliona ukrainas do të shkojnë në kishë”, shtoi ai.
Por që nga viti 2022 Rusia ka “shkatërruar ose dëmtuar më shumë se 600 kisha dhe vende kulti”.
Rusia akuzon Ukrainën për shkeljen e armëpushimit
Nga ana tjetër Rusia i akuzoi forcat e armatosura ukrainase se kanë shkelur armëpushimin dhe kanë vazhduar sulmet, ndër të tjera në rajonin Donetskut.
Gjatë natës së të dielës kishte dhjetëra sulme me dron nga pala ukrainase, po sulmet u zmbrapsën, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes.
“Si rezultat ka të vdekur dhe të lënduar në radhët e popullatës civile dhe dëmtime të ndërtesave civile”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Informacioni i dhënë nga palët ndërluftuese nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.