Cafu, një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në historinë e futbollit, i ka hapur plotësisht dyert e përfaqësueses braziliane Carlo Ancelottit. Në prag të çmimeve “Laureus”, të mbajtura për të dytin vit radhazi në Madrid, ish-futbollisti brazilian ka komentuar situatën e Ancelottit në pankinën e Real Madridit.
“Unë jam njësoj si ju në këtë histori.
Nuk e di nëse do të vijë, nëse nuk do të vijë, nëse do të largohet apo do të qëndrojë te Real Madridi. Është një mister i madh nëse trajneri italian do të shkojë te kombëtarja e Brazilit.
Sidoqoftë, Ancelotti është një trajner shumë inteligjent, një trajner që të gjithë e duan, një super kampion që ka fituar kudo ku ka shkuar. Shpresojmë që të marrë një vendim. Nëse vjen në Brazil, mirë se të vijë, do ta mirëpresim”, u shpreh Cafú.
Ancelotti ka qenë trajner i legjendës braziliane (Cafú), kur ky i fundit luante te Milani. Pesë sezone që Cafú nuk i ka harruar: “Pata mundësinë të punoja me të për pesë vite te Milani, ishin pesë vite fantastike, të mrekullueshme”.
Për “Topin e Artë”: “Raphinha e meriton prej kohësh këtë çmim prestigjioz individual. Këtë vit edhe më shumë, për të gjitha statistikat dhe ato që ka bërë në kampionat, jo vetëm në La Liga, por edhe në Champions League”.
Për Real Madridin dhe Vinicius: “E shoh situatën te Real Madridi pozitivisht. Edhe pse u eliminua nga Champions League, mbetet një ekip që imponohet dhe të gjithë e kanë frikë. Sezonin tjetër, me siguri do të rikthehet më i fortë.
Racizmi ndaj Vinicius? Është një çështje edukimi. Duhet t’i edukojmë njerëzit për të jetuar në një vend ku mbretëron barazia. Këtë po përpiqet të transmetojë Vinicius nëpërmjet futbollit”.