Në konferencën “Ura të reja për një të ardhme të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor” u vu theksi mbi rolin kyç që luajnë të rinjtë në ndërtimin e një rajoni më të vetëdijshëm dhe të angazhuar për çështjet mjedisore.
Gjatë sesionit për Angazhimin e të Rinjve, Lëvizshmërinë dhe Ndikimin e Trajnimeve, pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre të drejtpërdrejta në projekte ndërkombëtare që kanë synuar fuqizimin e të rinjve dhe veprimin për klimën.
Shend Blaku, përfitues nga programi YE5, theksoi ndikimin që ka pasur trajnimi i realizuar në Spanjë në përgatitjen e tij për angazhim konkret.
“Tani, 30 ditë është si të thuash, sot është saktësisht një muaj që prej se përfunduam trajnimin tonë në Spanjë. Dhe si të them, 30 ditë nuk mjaftojnë për të ndërmarrë veprime konkrete.Unë në njëfarë mënyre e integrava këtë njohuri në trajnimin që mbajtëm dhe kontributi prej tyre ishte shumë i mirë” tha ai, duke shtuar se njohuritë e fituara i ka përdorur menjëherë në një trajnim për studentët.
Menaxherja e projektit në Bill Green Group, Belisa Haxhiu, vlerësoi qartësinë dhe strukturën e projektit Fast Forward, duke nënvizuar bashkëpunimin efektiv mes partnerëve.
Ajo përmendi sfidat në përzgjedhjen e të rinjve për pjesëmarrje, duke theksuar nivelin e lartë të interesimit dhe aplikimeve cilësore: “
“Në fakt, u befasova nga mënyra se si gjithçka ishte e organizuar ishte vërtet e lehtë të menaxhoje një projekt që kishte objektiva kaq të qarta. Nuk dinim kujt t’ia jepnim mundësinë dhe kujt jo, pasi kishim kaq shumë aplikime të mira”, tha ajo.
Ndërsa Denajdër Bardhi, pjesëmarrës nga YE3, solli në vëmendje nevojën për më shumë mbështetje për të rinjtë që kanë ide, por jo gjithmonë mjetet për realizimin e tyre.
“Të rinjtë përballen me këtë problem – ata kanë ide, kanë gjithçka, por nuk arrijnë ta realizojnë produktin final, dhe ky është problemi,” tha ai, duke shtuar se përvoja në Alicante i ka dhënë informacion të vlefshëm për zbatimin e projekteve të qëndrueshme.
Nga një këndvështrim më i gjerë, Andrej Paskalov, menaxher i përmbajtjes online dhe i markës, vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimeve rinore në ndërtimin e vetëdijes ekologjike.
Ai theksoi se vetëdija ekologjike shpesh lidhet me mirëqenien ekonomike.
“Vitet e fëmijërisë, adoleshencës dhe fillimit të moshës madhore mund të jenë periudha e vetme në jetën tuaj kur mund të konvertoheni në mënyrë të besueshme drejt kësaj kauze. Sa më shumë para të kenë njerëzit, aq më shumë kujdesen për mjedisin”, tha ai.
Ndërkohë, trajneri Emelin Hasanspahiq nga organizata Bravo solli një perspektivë personale mbi rritjen dhe zhvillimin që ofrojnë këto projekte.
“Kam ‘thyer akullin’… dhe tani, mendoj se të gjithë ndihen paksa të shqetësuar nëse do të bëjnë ndonjë gabim gjatë një paneli si ky. Nuk ke pse të jesh ekspert për të folur për diçka. Mjafton të kesh informacion dhe të ndash informacion – jo të përhapësh dezinformata”, tha ai duke i inkurajuar të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit.