Kosova shënon fitoren e dytë radhazi në turneun zhvillimor të UEFA-s

- Bota Sot

Kosova shënon fitoren e dytë radhazi në turneun zhvillimor të UEFA-s

Kombëtarja e Kosovës U16 ka vazhduar me paraqitje mbresëlënëse në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s, duke shënuar edhe fitoren e dytë radhazi.

Të përzgjedhurit e trajnerit Mehmed Kurda mposhtën Andorrën, me rezultat 2:1, në një ndeshje ku dominuan me lojë dhe karakter.

Heroi i kësaj sfide ishte Unejs Mustafa, i cili realizoi të dy golat për Dardanët e rinj. Ai kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 40-të, ndërsa e dyfishoi epërsinë në fillim të pjesës së dytë (48’), kur shënoi edhe golin e dytë personal dhe të ekipit, duke i siguruar Kosovës epërsinë e nevojshme për fitore.

Pas ndeshjes, Mustafa u shpreh i lumtur për golat dhe fitoren: “Jam shumë i lumtur që i kam dhënë dy gola. Është fitorja e dytë me Kombëtaren e Kosovës dhe shpresoj të ecim kështu. Besoj se edhe në ndeshjen e tretë kundër Shqipërisë do të arrijmë sukses”.

Në minutat e fundit të ndeshjes, Andorra arriti të shënojë një gol për ta ngushtuar rezultatin në 2:1, por pa arritur të rrezikojë seriozisht fitoren e Kosovës.

Trajneri Mehmed Kurda u shpreh i kënaqur me angazhimin dhe karakterin e treguar nga lojtarët e tij:

“Edhe sot djemtë treguan një karakter të fortë. Edhe pse patëm një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë dhe të papërshtatshëm, ia arritëm të fitojmë 2:1. I përgëzoj djemtë për përkushtimin dhe paraqitjen dinjitoze në këtë turne”.

Ndeshjen e fundit në këtë turne zhvillimor, Kosova U16 do ta luajë më 25 prill kundër Shqipërisë, ku synon ta mbyllë me sukses të plotë këtë paraqitje të shkëlqyer.



Read it all at Bota Sot