Gjilani dhe Dukagjini barazuan dje në njërën prej dy ndeshjeve të fundit të xhiros së 30-të të Superligës së futbollit.
Mirëpo, klinasit konsiderojnë se u dëmtuan në këtë ndeshje për një ndërhyrje të dyshimtë në zonën e rretptësisë që ndodhi në pjesën e dytë, pas së cilës gjyqtari Egzon Dakaj nuk dha penallti për mysafirët.
E rreth këtij rasti kontestues ka komentuar eksperti i referimit, njëherësh analist në emisionin “Favorit”, Hajriz Hajdari.
Sipas ish-gjyqtarit të njohur kosovar, Dukagjinit iu mohua 11 metërshi në barazimin me Gjilanin, 1:1.
Gjithashtu, pas ndeshjes së djeshme i ashpër ndaj referimit është treguar edhe trajneri Ismet Munishi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai shkroi Dukagjini është ekipi më i dëmtuar në këtë kampionat.
Dukagjini me shpenzime jo shumë të mëdha ia ka dalë mjaft mirë dhe me sukses të përballet dhe t’i sfidojë ekipet që kanë harxhuar shumë në fillim të sezonit, e të cilat e kishin synim titullin e kampionit dhe daljen në Evropë.
Aktualisht, “Hithat” e gjejnë veten në vendin e tetë në tabelë, por me synimin që deri në fund t’i ikin zonës së barazhit.