Patriarku i Jerusalemit përshëndet angazhimin e Papës ndaj Gazës

- Bota Sot

Patriarku i Jerusalemit përshëndet angazhimin e Papës ndaj Gazës

Patriarku latin i Jeruzalemit, Kryepeshkopi Pierbattista Pizzaballa ka përshëndetur mbështetjen e Papa Françeskut për Gazanët dhe angazhimin me komunitetin e vogël katolik në enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta.

Pizzaballa, autoriteti më i lartë i kishës katolike në rajon, i cili konsiderohet një pasardhës i mundshëm i papës së ndjerë u tha gazetarëve në Jerusalem se “Gaza përfaqëson, gjithçka që ishte në zemrën e papës”

Papa Françesku, i cili vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare, mbrojti paqen dhe “afërsinë me të varfërit…”, tha patriarku, përcjell RTSH.

Këto pozicione u bënë veçanërisht të dukshme në përgjigjen e Françeskut ndaj luftës Izrael-Hamas – e cila shpërtheu më 7 tetor 2023.

“Ai ishte shumë i afërt me komunitetin e Gazës, famullinë e Gazës, i telefononte shumë herë – për një periudhë të caktuar, gjithashtu çdo ditë, çdo mbrëmje në orën 19:00”, thotë patriarku.

Ai shton se duke vepruar kështu, Papa “u bë për komunitetin diçka e qëndrueshme, dhe gjithashtu ngushëlluese për ta, dhe ai e dinte këtë”.

“Punoni për drejtësi… por pa u bërë pjesë e konfliktit”, tha Pizzaballa për veprimet e papës së ndjerë.

“Për ne, për Kishën, ai la një trashëgimi të rëndësishme.”

Nga afërsisht 2.4 milionë banorë të Rripit të Gazës, rreth 1000 janë të krishterë. Shumica e tyre janë ortodoksë, por sipas Patriarkanës Latine, në territor ka rreth 135 katolikë. Që nga ditët e para të luftës, anëtarët e komunitetit katolik janë strehuar në kompleksin e Kishës së Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës dhe disa të krishterë ortodoksë gjithashtu kanë gjetur strehim atje.

Patriarku falënderon gjithashtu figurat e shumta publike palestineze dhe izraelite që kanë shprehur ngushëllimet e tyre, duke preferuar të mos komentojnë mungesën e mesazhit zyrtar nga kryeministri Benjamin Netanyahu.



Read it all at Bota Sot