Interi në sprintin final të sezonit

- Bota Sot

Interi në sprintin final të sezonit

Në epokën e tri pikëve për fitore, kjo është vetëm hera e dytë që dy skuadra ndodhen në barazim pikësh, pesë javë nga fundi i kampionatit italian. Nëse përfshijmë edhe rastet me një distancë minimale prej një apo dy pikësh (si në sezonin 2021/22, me ndeshje të prapambetur), numri i rasteve ngjitet në katër.

Dhe në secilin prej tyre, fundi i kampionatit ka dhuruar ngjarje të paharrueshme. Për Interin, kjo nuk është as hera e parë.

Precedenti më i famshëm lidhet pikërisht me Interin dhe një përballje direkte. Ishte sezoni 1997/98. Zikaltrit e drejtuar nga Gigi Simoni dhe udhëhequr nga “Fenomeni” (Ronaldo) ishin vetëm një pikë larg Juventusit të Lippit, pesë ndeshje nga fundi. Në sfidën e drejtpërdrejtë, goli i Del Pieros, mes shumë polemikave, iu dha bardhezinjve fitoren dhe rrugën drejt titullit.

Një vit më vonë, Lazio dhe Milani ishin protagonistë të një gare edhe më emocionuese. Kuqezinjtë ndoqën hapin e bardhekaltërve dhe në javën e parafundit përmbysën gjithçka: Lazio do të ndalej 1-1 në Firence, ndërsa Milan shkatërroi Empolin dhe më pas siguroi titullin në Perugia.

Sidoqoftë, kuqezinjtë nuk e patën fatin në anën e tyre në sezonin 2004/05, i vetmi para këtij aktualit, ku dy ekipe kryesonin bashkë pesë javë para fundit. Edhe atëherë gjithçka do të vendosej në përballjen direkte. Dhe sërish ishte Juventusi që dominonte skenën. Në javën e 35-të, Del Piero asistoi me roveshiatë dhe Trezeguet shënoi golin që vendosi fatin e kampionatit. Milani do të dorëzohej dhe diferenca finale bëhej 7 pikë.

Në vitin 2010, Interi rikthehet si protagonist, këtë herë për të shkruar historinë. Midis skuadrës zikaltër dhe tripletës qëndronte Roma e Ranierit. Verdhekuqtë do të fitonin sfidën direkte dhe kalonin përpara gjashtë javë nga fundi. Por dy javë më pas erdhi përmbysja e madhe e Interit, që nuk do të ndalej më: “Scudetto”, Kupë Italie dhe Champions League në një sezon të paharrueshëm.

Së fundi, historia do të përsëritej në sezonin 2021/22. Interi ishte dy pikë pas Milanit, por me një ndeshje më pak për shkak të shtyrjes së duelit kundër Bologna për shkak të Covid-it. Ajo ndeshje do të luhej pas javës së 33-të dhe mbaroi me një tragjedi sportive për Inzaghin.

Gafa e portierit Radu do t’i jepte Bologna fitoren dhe Milani nuk fali më. Fitoi katër nga katër ndeshjet e mbetura dhe rrëmbeu titullin. Këtë e kujton “Gazzetta dello Sport”, ndërsa Interi përgatitet për një tjetër fund sezoni që premton dramë, emocione dhe, ndoshta, lavdi.



Read it all at Bota Sot