Kreu i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije, vetëm disa ditë pasi iu lejua vizita në Kosovë, u shfaq në Moskë përkrah presidentit rus Vladimir Putin, duke bërë deklarata që cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në gjithë rajonin.
Kisha Ortodokse Serbe ka qenë historikisht pjesë e ideologjive nacionaliste që ushqyen luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë në vitet 90, dhe fatkeqësisht kjo trashëgimi vazhdon edhe sot përmes deklaratave që ofendojnë fqinjët, mohojnë realitetin dhe përpiqen të destabilizojnë Ballkanin.
Deklarimet e kreut të KOS-it përçojnë një vizion për të kaluarën, jo për të ardhmen, pasi që e ardhmja e rajonit nuk ndërtohet mbi nostalgjinë për dominim e konflikt, por mbi respektin dhe bashkëjetesën, ka shkruar Donika Gërvalla në një postim në Facebook.
Ajo thotë se BE-ja, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, duhet të reagojë ndaj deklarimeve të kreut të KOS-it, në të kundërtën heshtja ndaj deklaratave që minojnë paqen dhe nxisin urrejtje nuk është neutralitet, por “normalizim i gjuhës së urrejtjes.”
“Kosova është e përkushtuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim. Ne jemi të gatshëm të punojmë me udhëheqës politikë e fetarë që ndërtojnë ura mes njerëzve, kombeve dhe besimeve. Shpresojmë sinqerisht që një ditë, edhe në krye të Kishës Ortodokse Serbe, të kemi një partner të tillë për të ardhmen. Kosova do të vazhdojë të mbrojë vlerat evropiane dhe paqen në rajon, me përgjegjësi dhe vizion të qartë për të ardhmen”, përfundon Gërvalla.