Kampionati saudit po trondit sërish skenën europiane të futbollit.
Pas përpjekjes së pasuksesshme për të firmosur me Vinicius Junior, Arabia Saudite ka kthyer sytë nga një tjetër yll i La Ligës – braziliani Raphinha.
Klubi i pasur saudit, Al Hilal, është vënë në ndjekje të sulmuesit të Barcelonës, si pjesë e një strategjie për të zëvendësuar Neymar-in, i cili së fundmi është larguar për shkak të një dëmtimi afatgjatë.
Sipas mediave spanjolle, Al Hilal ka paraqitur një ofertë spektakolare që kap shifrën e rreth 300 milionë eurove. Nga kjo shumë, 200 milionë euro do t’i përfitonte vetë lojtari për katër sezone, ndërsa 100 milionë euro do t’i shkonin Barcelonës si tarifë transferimi.
Për të përmbyllur këtë marrëveshje faraonike, një delegacion i klubit saudit ndodhet në Spanjë, jo vetëm për të negociuar për Raphinha-n, por edhe për të identifikuar objektiva të tjerë.
Raphinha ka pasur një sezon të shkëlqyer me Barcelonën, duke kontribuar me 30 gola dhe 23 asistime në 49 ndeshje zyrtare, çka e ka bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës katalanase.
Megjithatë, Barcelona nuk e ka vendosur ende për shitjen e tij. Lojtari ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, dhe interesimi për të është i lartë edhe nga klubet angleze si Arsenal, Liverpool dhe Chelsea.