Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e rinovuar në Gjermani ka shënuar rënie të ndjeshme në tremujorin e parë 2025, si pasojë e reshjeve të pakta dhe periudhave të gjata pa erë.
Në periudhën janar-mars, Gjermania prodhoi 63.5 miliardë kilovat-orë energji elektrike ose 16 për qind më pak se në të njëjtën periudhë 2024, tregojnë të dhënat nga Qendra për Kërkimin e Energjisë Diellore dhe Hidrogjenit dhe Shoqata Gjermane për Menaxhimin e Energjisë dhe Ujit (BDEW).
Prodhimi i energjisë elektrike në fermat e erës në det të hapur ra 31 për qind dhe në fermat me erë në tokë 22 për qind, për shkak të kushteve të ulëta të erës në shkurt dhe mars.
Reshjet e pakta të shiut kanë reduktuar prodhimin në hidrocentralet. Prodhimi i energjisë elektrike në sistemet fotovoltaike u rrit rreth 32 për qind krahasuar me tremujorin e parë 2024.
Prodhimi i energjisë së rinovuar ndryshon në varësi të kushteve të motit, theksoi presidentja e Komitetit Ekzekutiv të BDEW, Kerstin Andreae, duke shtuar se nevojiten më shumë kapacitete magazinimi për të siguruar furnizimin.
Termocentralet me qymyr, linjit dhe gaz prodhuan 68.9 miliardë kilovat/orë energji elektrike në periudhën janar-mars, 14.4 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjermania prodhoi gjithsej 132.4 miliardë kilovat-orë energji elektrike në tremujorin e parë, 2.7 për qind më pak se në fillim të vitit 2024. Janë konsumuar 135.3 miliardë kilovat-orë, afërsisht njëjtë me vitin e kaluar.