Është e vërtetë që, kur pëson një gol, rrallëherë mund të fajësosh një njeri të vetëm apo ta reduktosh gjithçka në një detaj të vetëm të shpëtuar.
Këtë e theksoi edhe Pier Kalulu, me kokën ulur pas ndeshjes, pas një tjetër nate zhgënjyese për Juventusin.
Dhe, në fakt, lehtësia me të cilën Valeri ngriti kokën, pa, dhe harkoi, ishte tronditëse.
Por pika vendimtare e aksionit ndodhi në zonë, ku Pelegrino mposhti me lehtësi Loid Kelin, duke shtuar benzinë në zjarrin e dyshimeve të një tifozerie gjithnjë e më skeptike mbi blerjen e fundit të klubit bardhezi në merkaton e janarit. Keli, i ardhur nga Njukasëlli në orët e fundit të merkatos, u transferua për një shumë që mund të arrijë në 27.5 milionë euro, përfshirë bonuset.
Një shifër e lartë, sidomos kur dihet se gjatë verës lojtari ishte i lirë, pa kontratë. Vetë mënyra e blerjes ngjalli jo pak pikëpyetje, pasi marrëveshja u finalizua vetëm pasi dështuan disa pista të tjera.
Por problemi i vërtetë është ajo çfarë tregon fusha. Dhe paraqitja në Tardini e konfirmoi këtë. Keli pati vështirësi serioze në duelet ajrore, pikërisht në një aspekt që tradicionalisht ka qenë forcë e Juventusit. Me golin e Pelegrinos, statistikat shënojnë një fakt alarmues.
Është goli i dhjetë i pësuar me kokë këtë sezon, një shifër që bie ndesh me traditën e një mbrojtjeje të hekurt. Mbrojtësi anglez duket më i sigurt kur ecën përpara sesa në fazën e prapavijës, dhe kjo përbën një problem të vërtetë për Tudorin, i cili kërkon ekuilibër dhe qëndrueshmëri.
Nëse investimi për Kelin ishte menduar për të sjellë siguri në mbrojtje, fusha, deri tani, ka treguar të kundërtën. Koha për përmirësim ende ekziston, por çdo gabim peshon rëndë në këtë fazë vendimtare të sezonit, ku çdo pikë mund të jetë jetike për një vend në Champions apo për të shmangur një tjetër dështim. Dhe tifozët e Juventusit, të mësuar me një mbrojtje të hekurt, kanë nisur të pyesin veten nëse Loid Keli ishte vërtet zgjedhja e duhur për të forcuar repartin më të shenjtë të traditës bardhezi.