Dragashi ndryshon datën zyrtare të çlirimit

- Gazeta e Prizrenit

Dragashi ndryshon datën zyrtare të çlirimit

Kuvendi Komunal i Dragashit ka marrë sot një vendim të rëndësishëm që lidhet me përkujtimin historik të çlirimit të komunës. Me shumicë votash, asambleja komunale ka vendosur të ndryshojë datën zyrtare të çlirimit nga 15 qershori në 12 qershor, datë kjo që përkon me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë dhe përfundimin e luftës në vitin 1999.

Ky vendim është marrë pavarësisht faktit që, për ta bërë efektiv, kërkohet ndryshimi i statutit të Komunës së Dragashit – një proces që kërkon procedura shtesë ligjore dhe administrative. Megjithatë, me këtë hap, përfaqësuesit e Kuvendit komunal kanë shprehur qëllimin për të harmonizuar përkujtimin lokal me datat kyç të çlirimit në nivel shtetëror.

Sipas zyrtarëve lokalë, ndryshimi i datës është bërë në përgjigje të kërkesave të qytetarëve dhe organizatave të dala nga lufta, të cilët e kanë konsideruar 12 qershorin si ditën e vërtetë të çlirimit të Dragashit, në përputhje me zhvillimet historike të asaj kohe.

Ky vendim pritet të reflektohet edhe në organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe ceremonive zyrtare që mbahen çdo vit në nder të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. /IO



Read it all at Gazeta e Prizrenit