Nesër bëhet eksplodimi i mjetit shpërthyes në Stagovë të Kaçanikut, policia ka disa kërkesa për qytetarët

- Bota Sot

Nesër bëhet eksplodimi i mjetit shpërthyes në Stagovë të Kaçanikut, policia ka disa kërkesa për qytetarët

Sot gjatë ditës është bllokuar rruga në lagjen “Teneqja” në fshatin Stagovë të Kaçanikut, pasi që kanë nisur gërmimet për një mjet të pashpërthyer, i cili dyshohet se i takon Luftës së Dytë Botërore.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për shkak që ekziston rreziku që mjeti të shpërthejë është rekomanduar që deri më 30 prill rruga të jetë e bllokuar.

E lidhur me këtë policia gjatë pasditës ka  njoftuar qytetarët se eksplodimi i mjetit të dyshuar shpërthyes, do të realizohet nesër në periudhën nga ora 09:00 deri në orën  13:00.

Ndërsa ka kërkuar banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë që të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale, të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive.

Po ashtu këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit.

“Më datë 28.04.2025, rreth orës 14:40, në fshatin Stagovë tė Kaçanikut, në lagjen “Teneqja”  është raportuar për një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Në vendin e ngjarjes kanë dalë FSK dhe Njësia e Deminimit nga KFOR-i, të cilët kanë kryer inspektimin dhe kanë rekomanduar në marrjen e masa si në vijim: Më datë 30.04.2025 (e mërkurë), në periudhën nga ora 09:00 deri në ora 13:00, do të realizohet eksplodimi i kontrolluar i mjetit të dyshuar shpërthyes, i dyshuar si i luftës së dytë botërore”, thuhet në njoftim.

Masat që duhet të respektohen:

– Zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes.

– Brenda kësaj zone ndalohet rreptësisht qëndrimi i njerëzve. Ndërsa rekomandohet largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive. 

Banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë luten që:

– Të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale.

– Të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive.

– Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie dhe të pranishëm në një zonë të sigurt, për të reaguar në rast nevoje.

– Policia do të njoftojë banorët përreth dhe do të sigurojë që, në datën dhe orët e lartcekura, të mos ketë persona jashtë shtëpive.

Këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit.

Ju lutemi për mirëkuptim dhe bashkëpunim në respektimin e këtyre masave për sigurinë tuaj dhe të të gjithëve.

Policia Rajonale e Ferizajt do të bëjë njoftimin me kohë menjeherë pas perfundimit të operacionit. 



Read it all at Bota Sot