Pas ndeshjes dramatike ndaj Interit që përfundoi me rezultat 3:3 në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, Raphinha ka folur hapur për ndjesitë e tij dhe ecurinë e skuadrës së Barcelonës në këtë përballje vendimtare.
Braziliani, i cili ishte një nga më të dalluarit në fushë dhe kontribuoi me asist në golin e dytë dhe në golin e tretë me një goditje të fuqishme që u kthye në autogol nga Sommer, pranoi se skuadra duhet të kishte bërë më mirë, veçanërisht në mbrojtje:
“Mund të kishim dalë me një rezultat më të mirë,” tha Raphinha pas ndeshjes. “Edhe një herë pësojmë tre gola në shtëpi dhe kjo është e papranueshme, por duhet t’i japim meritë Interit.
E dinim që në goditjet nga këndi janë shumë të fortë. Dalim nga kjo ndeshje me një rezultat me të cilin gjithçka mund të ndodhë. Do të përgatitemi shumë më mirë për të dalë që andej me kualifikimin.”
Barcelona ishte në disavantazh 0:2 në fillim të ndeshjes, por tregoi karakter dhe u rikthye shpejt në lojë me gola nga Yamal dhe Torres. Raphinha theksoi rëndësinë e qetësisë në ato momente:
“E kemi ruajtur qetësinë kur ishim në disavantazh 0-2 për të rikthyer ndeshjen.”
Duke folur për stilin e lojës, ai pranoi se ndonjëherë ekipi rrezikon më shumë se sa duhet:
“Mund të ndodhë që ndonjëherë të marrim shumë rreziqe. Detyra jonë është gjithmonë të fitojmë në shtëpi, por ky rezultat nuk është aq i keq.”
Në fund, Raphinha nuk harroi të lavdërojë talentin e ri të skuadrës, Lamine Yamal, i cili realizoi një gol të rëndësishëm:
“Të gjithë e dimë kush është Lamine dhe çfarë cilësie ka.”
Barcelona dhe Interi do të përballen sërish në San Siro për ndeshjen e kthimit, ku do të vendoset finalisti i madh i këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.