Një hartë e veçantë që paraqet rajoneve etnografike të Kosovës është publikuar së fundmi nga antropologia amerikane Janet Reineck, e cila që nga vitet 80 është e lidhur ngushtë me vendin tonë, ku edhe jeton dhe vepron prej shumë vitesh.
Harta është rezultat i punës disa mujore dhe bashkëpunimit të ngushtë me antropologët kosovarë Ukë Xhemaj dhe Arsim Canolli, si dhe me vëllain e saj në Kaliforni, i cili e realizoi hartën në aspektin grafik, duke përfshirë edhe komentet dhe ekspertizën e studiuesve vendas.
“Kjo hartë u krijua për kursin tim ‘Etnografia e Kosovës’ në RIT Kosovo, me ndihmën e Ukë Xhemaj dhe Arsim Canollit, bazuar në njohuritë e tyre të thella mbi rajonet”, shpjegon Reineck. Ajo thekson se kufijtë midis rajoneve nuk janë të ngurtë, por ofrojnë një përfytyrim të përgjithshëm mbi identitetin rajonal, të bazuar në perceptimet lokale, gjeografinë, zakonet, kostumet tradicionale, dialektet dhe folklorin.
Në shumë raste, rajonet kanë disa emërtime, por në hartë janë përdorur ato që njihen më gjerësisht nga popullata lokale. Reineck thekson se projekti është ende në zhvillim dhe fton qytetarët nga të gjitha rajonet të japin sugjerime dhe kontribute.
“Shpresoj që kjo hartë të përdoret gjerësisht nga të gjithë të interesuarit për diversitetin kulturor dhe kompleksitetin e këtij vendi të bukur”, tha ajo.
Ky projekt përbën një përpjekje të rëndësishme për dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës në një format vizual dhe lehtësisht të kuptueshëm për studiuesit dhe publikun e gjerë./tvprizreni.net