KE kërkon bojkotimin e 9 majit në Moskë, Vuçiq s’heq dorë nga Putin e as nga BE

- Bota Sot

KE kërkon bojkotimin e 9 majit në Moskë, Vuçiq s’heq dorë nga Putin e as nga BE

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq paralajmëroi sërish se do të jetë pjesë e manifestimit në Moskë më 9 maj, pavarësisht thirrjes së Komisionit Evropian për bojkot nga vendet kandidate për shkak të agresionit në shkallë të gjerë rus në Ukrainë.

Vuçiq në një adresim për mediat serbe tha sot, se Serbia nuk do ta braktisë rrugën e saj evropiane, por ai do të merr pjesë në kremtimin e Ditës së Fitores në Moskë.

“Problemi kryesor dhe i vetëm është nëse do të shkoj në Moskë. Serbia është në rrugën evropiane dhe nuk do të tërhiqet nga ajo. Jam i gatshëm të pranoj çdo lloj sanksioni. I thashë Putin se do të vij në Rusi më 9 maj. Askush tjetër nuk duhet të shkojë dhe të vuajë. Unë do të shkoj, përveç nëse nuk e di se çfarë ndodh ose nuk e di se çfarë kërcënimi drejtohet ndaj Serbisë”, deklaroi Vuçiq.

Zëdhënësja e KE-së Paula Pinho, pati deklaruar më herët se kremtimi i Ditës së Fitores në Moskë është pjesë e propagandës ruse dhe një përpjekje për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, kështu që anëtarët e BE-së dhe vendet kandidate duhet të përmbahen nga pjesëmarrja.

Ne e shohim festimin e 9 majit si pjesë të propagandës ruse dhe një përpjekje për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë dhe për këtë arsye ne besojmë se ne duhet të përmbahemi nga dhënia e legjitimitet në çfarëdo mënyre kësaj lufte dhe të përmbahemi nga pjesëmarrja në atë festë”, tha ajo në një konferencë për media në Bruksel.

Pinho shtoi se kjo nuk vlen vetëm për vendet kandidate, por edhe më shumë për anëtarët e BE-së që ranë dakord për një pozicion të tillë që në vitin 2022.

Ndërsa, zëdhënësi i Zgjerimit Guillaume Mercier tha se Serbia duhet të konfirmojë drejtimin e saj strategjik.

"BE ka qenë i qartë me partnerët tanë, duke përfshirë vendet kandidate si Serbia, se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë biznes si zakonisht," tha Mercier.

I pyetur nëse do të ketë pasoja për Serbinë, ai tha se është herët për të spekuluar në këtë pikë.

Përveç Vuçiq, në manifestimin e 9 majit në Moskë do të merr pjesë edhe kryeministri sllovak, Robert Fico.



Read it all at Bota Sot