MSH e ECDC forcojnë bashkëpunimin në fushën e sëmundjeve ngjitëse

- Bota Sot

MSH e ECDC forcojnë bashkëpunimin në fushën e sëmundjeve ngjitëse

Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Qendra Evropiane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse (ECDC) nënshkruan memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sëmundjeve ngjitëse.

Memorandumi u nënshkrua ndërmjet ECDC-së, përfaqësuar nga drejtoresha Pamela Rendi-Wagner, dhe Ministria e Shëndetësisë, përfaqësuar nga Ardita Baraku, drejtoreshë e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Qëllimi i këtij memorandumi është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet palëve, për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, përmes përgatitjes për pjesëmarrje në aktivitetet e ECDC-së dhe shkëmbimit të informacionit në kohë, raporton KosovaPress.

Bazuar në rregulloret dhe ligjet relevante të BE-së dhe Kosovës, ky dokument synon të vendosë një kuadër të bashkëpunimit për pjesëmarrje në aktivitetet mbështetëse të ECDC-së për vendet kandidate për anëtarësim; forcimin e mbikëqyrjes, ndarjes së të dhënave dhe reagimit ndaj kërcënimeve shëndetësore; trajnime, zhvillim profesional dhe përmirësim të qasjes nder sektoriale “One Health” për luftimin e rezistencës antimikrobike; shkëmbim të inteligjencës epidemiologjike për sëmundje të caktuara dhe pjesëmarrje si vëzhgues në rrjetet e ECDC-së; mbështetje për përmirësimin e kapaciteteve të përgjigjes ndaj epidemive në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (IHR).

Marrëveshja përcakton koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta përmes caktimit të pikave ndërlidhëse që do të punojnë në identifikimin e fushave të përbashkëta për bashkëpunim përmes planeve vjetore dhe shumëvjeçare të punës.

Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm për Kosovën në drejtim të integrimit në strukturat evropiane të shëndetit publik dhe përforcimit të kapaciteteve për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.



Read it all at Bota Sot