Pas fitores 1-0 kundër Arsenalit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League, Achraf Hakimi shprehu gjithë kënaqësinë e tij për shpirtin përbashkues dhe sakrifikues të PSG-së.
I intervistuar nga “CBS Sports”, anësori maroken theksoi se ndryshimi i vërtetë i PSG-së së Luis Enrique është uniteti i grupit: “Tani jemi vërtet një skuadër. Edhe ata që nuk luajnë japin gjithçka për të tjerët”.
Hakimi vlerësoi përkushtimin mbrojtës të sulmuesve si Dembélé, Ramos, Doué, madje edhe Kvaratskhelia, duke theksuar se trajneri spanjoll e sheh çdo lojtar si pjesë aktive në të dyja fazat: “Jemi 11 sulmues dhe 11 mbrojtës…”
Marokeni, shpesh protagonist edhe në sulm, shpjegoi efektivitetin e lojës së parizienëve: “Stërvitemi çdo ditë për të lëvizur dhe për të krijuar hapësira, kjo është qasja jonë taktike”.
Lëvizshmëria taktike dhe liria për të kaluar zonat e zakonshme janë elementë kyç të filozofisë së Luis Enrique, teksa Hakimi është përfaqësuesi perfekt i saj: gjithmonë i pranishëm në avancimet ofensive, siç tregoi edhe në suksesin kundër Aston Villa në Birmingham, në çerekfinale.
PSG tani shikon drejt sfidës së kthimit kundër Arsenalit me një objektiv të qartë: të ndjekë në mënyrë të përpiktë planin e trajnerit spanjoll për të arritur në finalen e dytë të Champions League në historinë e klubit.