Largimi i De Bruyne, a do të pendohet City?

- Bota Sot

Largimi i De Bruyne, a do të pendohet City?

Mbrëmë në “Etihad Stadium” ishte një natë e veçantë, kur në sfondin e këngës "Seven Nation Army" nga White Stripes, tifozët e Manchester City nderuan Kevin De Bruyne (KDB) duke kënduar emrin e tij.

Kjo ndodhi madje përpara se mesfushori belg të shënonte golin e fitores ndaj një Wolverhamptoni në formë të madhe. Gol që mund ta shpëtojë ekipin e Guardiolës, duke i siguruar kualifikimin për në Champions League.

Në fund të këtij sezoni, KDB do të largohet, pas 10 vitesh të mbushura me trofe te klubi anglez, pasi ky i fundit ka vendosur të mos ia rinovojë kontratën që përfundon më 30 qershor. Diçka për të cilën ndoshta Manchester City do të pendohet.

Muajin e kaluar, De Bruyne kishte pranuar se ishte befasuar që nuk i ishte ofruar një kontratë e re. Edhe pas ndeshjes së djeshme dëshiroi të tregonte të gjithë vlerën e tij. “Për fat të keq, nuk e di çfarë e ardhmeje më pret, – tha belgu 33-vjeçar për “Sky Sports UK” me një ton serioz.

– Kam treguar se ende mund të luaj këtu, përndryshe nuk do të bëja atë që po bëj në 4 apo 5 javët e fundit. Shumë shokë skuadre më kanë folur, edhe ata janë të trishtuar që po largohem. Por kështu është jeta, mënyra se si po luaj është e duhura.

Po përpiqem të jap maksimumin tim. Më ka mbetur edhe vetëm një ndeshje këtu. Mundohem të bëj punën time si gjithmonë dhe besoj se po ia dal. Jam krenar për atë që po bëj”.



Read it all at Bota Sot