Ndeshja e të premtes mes Torinos dhe Venecias në Serinë A solli disa momente paniku në pankinën e skuadrës vendase.
Shkak u bë gjendja shëndetësore e trajnerit Paolo Vanoli.
Në pjesën e dytë të sfidës, trajneri hubi ekuilibrin dhe në një moment ku sapo ishte çuar në këmbë nga pankina dhe u rrëzua. Kishte për pak çaste panik, me stafin mjekësor që veproi me shpejtësi për ta ndihmuar e qetësuar, pasi ishte për pak çaste pa ndjenja dhe e shoqëroi atë në ambientet e brendshme të stadiumit.
Më pas, u bë e ditur nga klubi se ai kishte zhvilluar kontrollet mjekësore të rastit dhe nuk ishte konstatuar gjë shqetësuese, vetëm një luhatje tensioni.
Tekniku kishte qenë nën kontrollin e mjekëve por mediat italiane bëjnë të ditur nga burimet pranë klubit se ka kaluar natën në shtëpinë e tij, pa shqetësime të tjera pas atij momenti që frikësoi jo pak njerëzit në stadium.
Gjithsesi, pritet që Vanoli t’i nënshtrohet testeve të tjera gjatë javës, për të qenë të sigurt se nuk ka probleme të mëtejshme për teknikun e Torinos.