Koço Kota ka qenë senator, kryetar i Kuvendit, ministër dhe kryeministër shqiptar. U lind në Korçë në vitin 1889.
I ati i Koços, quhej Nuçi Kota dhe në atë kohë ai merrej me tregti lëkurësh e importe të ndryshme nga Italia dhe Greqia. Koço ishte fëmija i dytë nga tre djem dhe një vajzë që kishte Nuçi Kota. Mësimet e para Kota i kreu në qytetin e lindjes në Korçë dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Në vitin 1912 Kota iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali. Në vitin 1920-të, Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si deputet i Korçës ku u zgjodh dhe Sekretar i Kongresit.
Nga viti 1921 deri në 1923 ai ishte prefekt i prefekturës së Beratit. Në vitin 1924 u emërua Ministër i Punëve Publike. Pas ngjarjeve të qershorit 1924, ai u largua nga Shqipëria për në Greqi. Mbas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit Kota, u kthye në postin e tij ministror. Ai shërbeu si ministër i Arsimit në janar 1925. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1925, Kota u zgjodh deputet i Korçës. Kostaq Kota ishte kryetar i Parlamentit 1925-1928 dhe 1930- 1936. Ai ishte Kryeministër i Shqipërisë 10 shtator 1928 – 5 mars 1930 dhe 9 nëntor 1936 – 7 prill 1939 si dhe ministër i Brendshëm gjatë periudhave kohore 11 maj 1928 – 1 shtator 1928 dhe 5 shtator 1928 – 13 janar 1930. Gjithashtu, ishte senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.
Kontributi
Gjatë rrugëtimit të tij, Koço Kota takoi, punoi madje shpesh herë bashkëpunoi ngushtësisht me tre nga figurat qendrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX, me Fan. S. Nolin me Ismail Qemalin dhe Ahmet Zogun. Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911, u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pak kohë më pas, emigroi në Amerikë. Në SHBA, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqiptarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh Kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj. Në sajë të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre.
Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “Vatra” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila, siç dihet, u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. Vatra ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare. Më 1912, “Federata Vatra” e zgjodhi Koço Kotan si një nga përfaqësuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, i cili më 28 nëntor 1912, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arsimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Koço Kota, mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arsimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave.
Lëvizja kombëtare
Në fillim të marsit 1914, Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar”, e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar. Në datën 20 mars 1914, Koço Kotan e emëruan në Ministrinë e Arsimit, e cila drejtohej nga Dr. Turtulli Ministër Arsimi në qeverinë e Turhan Pashës. Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit – avokat. Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, së bashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kotan bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë. Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austro-hungarezëve. Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit.
Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arsimi në Drejtorinë Arsimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austro-hungareze u larguan nga Shqipëria dhe në territorin shqiptar u vendos ushtria italiane. Luigj Gurakuqi, ministri i Arsimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kotan “Inspektor Arsimi” pranë Prefekturës Berat.
Në shkurt të vitit 1919, shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N. Kotta. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar, pjesë e së cilit ishte edhe Koçi Kota. Ai bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.
Dekreti i mbretit
Më 23 shtator 1925, dr. Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve. Më 11 maj 1928, kryeministri Ahmet Zogu e emëroi Koço Kotan Ministër të P. të Brendshme. Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja. Më 1 shtator 1928, u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë: “Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguarë” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve. Më 5 shtator 1928, dr. Koço Kota u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P. Brendshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marrëdhëniet civile, tregtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi. Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera.
Më 4 mars 1930, Kryeministri Kota, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kota theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”. Në vitin 1930, Koço Kota u zgjodh deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e parë të tij zgjodhi dr. Koço Kota-n Kryetar Parlamenti. Mbreti Zog më 9 nëntor 1936, dekretoi dr. Koço Kotan Kryeministër dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare (Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë. Më 31 janar 1937, parlamenti i dha votëbesimin qeverisë së Koço Kotas. Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish- kryeministri Koço Kota, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetare nuk u përfshi në asnjë qeveri kuislinge të formuar gjatë pushtimit italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga qeveritë regjencë të ngritura nga ushtria gjermane.
Rrëmbimi dhe gjyqi
Koço Kota u rrëmbye në Selanik, Greqi, në 1945 nga tre agjentë (një shqiptar, një sovjetik dhe një grek), të cilët vepronin për llogari të qeverisë komuniste shqiptare. Ai u soll në Shqipëri ku iu nënshtrua një gjyqi special të drejtuar nga Koçi Xoxe, asokohe Ministër i Brendshëm. Ndërsa prokuroria kërkoi dënim me vdekje, gjykata speciale e dënoi me 30 vjet burg. Kota u dërgua në burgun famëkeq të Burrelit (ndërtimin e të cilit, ironikisht, e kishte firmosur ai vetë në cilësinë e kryeministrit), ku u torturua në mënyrë çnjerëzore deri sa vdiq 4 vjet më vonë, në 1949.
Në gjyqin special, Koçi Xoxe e akuzoi Koço Kotan ndër të tjera, edhe për dy çështje. Lidhur me mosorganizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kota ka thënë: “Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur… Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë… Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka pasur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura…” Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar. Koço Kota deklaroi: “Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarrës në bisedime si person privat…” Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të regjimit hoxhist, dr. Koço Kota u gjykua nga gjyqi farsë i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve Koçi Xoxe. Ish-kryeministri u dënua me burgim nga Gjyqi Special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kotës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eliminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pakompromentuar, i cili krejt jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar. Ish-kryeministrin e lanë pa bukë e ujë, i jepnin kripë, e godisnin me ç’të mundnin deri me bajonetë dhe thirrjet e tij ishin dëshpëruese. Mishi në trup nisi të plasaritej nga kjo situatë dhe më pas zëri i tij nuk po dëgjohej fare. Gardianët e pamëshirshëm në vend ta ndihmonin dhe mjekonin e çanin me bajonetë në mish në ato vende ku ishte plasaritur.
Deri sa erdhi edhe vdekja e tij përfundimtare. U varros në oborrin e burgut në atë që quhet e famshmja qershi. Kryeministri Koço Kota u torturua deri në vdekje. U varros dhe më pas ia zhdukën edhe eshtrat. Sot ai është një nga kryeministrat e vrarë të shtetit shqiptar, pro edhe një nga kryeministrat që nuk ka varr. Ai u eliminua sepse ishte kundërshtar i nacionalistëve fqinj antishqiptarë që synonin marrjen e trojeve dhe viseve shqiptare. Më 24 nëntor 2014, Dr. Koço Kota u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit” pas vdekjes, me motivacionin: “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.
Mes 10 kryeministrave të vrarë të shtetit shqiptar dhe 6 prej tyre që nuk kanë varr është edhe Kostaq Kota. Dy herë kryeministër, kryetar i parlamentit, kryetar i Dhomës së Deputetëve, ministër i Brendshëm, kryetar i kryesisë së Kongresit të Lushnjës dhe pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë, Ai mbahet mend se ishte kryeministër më 7 prill 1939 ditën që Shqipëria u pushtua nga Italia dhe që në 1945 u rrëmbye në Athinë duke i vënë pistoletën në kokë nga një agjent i Sigurimit të Shtetit, një agjent i KGB-së ruse dhe një agjent i shërbimit sekret grek për t’u sjellë në Shqipëri. Koço Kota vdiq në Burgun e Burrelit nga torturat çnjerëzore, në burgun që hodhi firmën për ta ndërtuar.