Inzaghi flet për rrezikun nga Yamal

- Bota Sot

Inzaghi flet për rrezikun nga Yamal

Trajneri i Inter, Simone Inzaghi, e ka cilësuar si një sfidë të vërtetë mbrojtjen ndaj talentit të Barcelonës, Lamine Yamal, para ndeshjes vendimtare gjysmëfinale të Champions League. 

Inter dhe Barcelona përballen këtë javë në Milano në takimin e kthimit të gjysmëfinales së madhe evropiane, pas barazimit spektakolar 3-3 në ndeshjen e parë në Spanjë.

“Është shumë e vështirë të mbrosh ndaj Yamal. Duhet të përpiqemi që të mos e lëmë të marrë topin, por kjo është pothuajse e pamundur në futbollin modern. Do ta mbulojmë nga afër, me dy lojtarë, dhe do të jemi shumë të kujdesshëm”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Tekniku zikaltër ka theksuar rrezikun nga adoleshenti spanjoll, i cili sipas tij është kthyer në pikë referimi për Barcelonën në momente të vështira.

“Kur ka momente të vështira, Barcelona ia jep topin atij. Më ka lënë përshtypje për mënyrën se si mendon shpejt ,sapo e merr topin, tashmë e di çfarë do të bëjë”, ka thënë ai. 

Ndërkohë, Interi mund të hyjë në këtë sfidë vendimtare me mungesa të rëndësishme. Inzaghi ka treguar se ende nuk dihet nëse mbrojtësi Benjamin Pavard dhe kapiteni Lautaro Martinez do të jenë të gatshëm për lojë.

“Do të vendosim bashkë me stafin mjekësor dhe vetë lojtarët. Pavard mori pjesë në pjesën e parë të stërvitjes të dielën dhe tha se ndihej mirë. Lautaro nuk ka stërvitur që nga ndeshja në Barcelonë, do ta shohim sot si do të shkojë”, është shprehur ai.



Read it all at Bota Sot