Guardiola: Klopp më ka shkaktuar gjithmonë dhimbje koke

- Bota Sot

Guardiola: Klopp më ka shkaktuar gjithmonë dhimbje koke

Pep Guardiola, një nga trajnerët më të suksesshëm të historisë moderne të futbollit, ka qenë protagonist i disa prej dueleve më të paharrueshme në dekadat e fundit.

Spanjolli ka fituar gjithçka në futbollin europian, që nga La Liga dhe Bundesliga deri te Premier League dhe Champions League, por ka një emër që, sipas tij, ia ka bërë më të vështira dhe të pasigurta rrugët drejt lavdisë: Jurgen Klopp.

“Klopp më ka shkaktuar gjithmonë dhimbje koke.

Nuk kam pasur kurrë një kundërshtar si ai. Kam kaluar shumë pasdite dhe netë në shoqërinë e stafit tim teknik duke u përpjekur të kuptoja se si ta ndaloja”, – rrëfeu Guardiola me një sinqeritet të rrallë.

Rivaliteti ndërmjet Guardiolës dhe Klopp-it filloi në Bundesliga, ku të dy e përfaqësonin më së miri përplasjen e ideve: “tiki-taka” e rafinuar e Guardiolës kundër "heavy metal football" të Klopp-it. Përballjet ndërmjet Bayern Munich dhe Borussia Dortmundit nuk ishin vetëm për titullin, por edhe dominimin filozofik të futbollit gjerman.

Ky rivalitet u zhvendos në Premier League, ku Guardiola mori drejtimin e Manchester City në vitin 2016, ndërsa Klopp kishte nisur punën te Liverpool-i një vit më herët. Lufta për titull mes këtyre dy gjigantëve arriti kulmin në sezonin 2018-2019, kur Manchester City fitoi titullin me 98 pikë, vetëm një pikë më shumë se Liverpool-i.

“Kishte momente kur mendoja: Ia dola, por të nesërmen isha i shkatërruar. Ato tre apo katër tituj kampioni që fituam në rivalitet me Jürgen Klopp janë suksesi më i madh që kemi arritur ndonjëherë, sepse niveli ishte mbresëlënës", – pranon Guardiola, duke theksuar vlerën e triumfit përballë një kundërshtari të këtij kalibri.

Sipas statistikave, Guardiola dhe Klopp janë përballur 28 herë deri në vitin 2024, në të gjitha kompeticionet, një rekord i rrallë mes dy trajnerësh modernë. Klopp ka fituar 12 herë, Guardiola 11, ndërsa 5 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Një baraspeshë që reflekton intensitetin dhe rivalitetin e jashtëzakonshëm mes tyre.

“Nuk jam përballur kurrë me një kundërshtar më të fortë, më të vështirë për shkak të stilit të lojës, tranzicioneve, mënyrës së drejtpërdrejtë se si ekipi sulmonte me shumë lojtarë”, – komentoi Guardiola, duke pranuar se mënyra e lojës së Klopp-it shpesh e ka vendosur City në pozita të vështira.

Në fund, Guardiola nuk harroi të nënvizonte mirënjohjen për këto përballje historike: “Jam vërtet mirënjohës për atë që bëmë në ato vite, për kampionatet që fituam pavarësisht cilësisë së jashtëzakonshme të kundërshtarëve me të cilët u përballëm".



Read it all at Bota Sot