Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar ka rezultuar me arrestimin e Hysri Selimit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
“Operacioni është zhvilluar pas hetimeve disamujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale.
Ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe procedurës penale. Hetimet janë ende në zhvillim.