Një datëlindje që nuk ishte! 6 Maji mendohet – nga shumica e historianëve dhe studiuesve të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbe – si datëlindja e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Kjo mund të jetë një datë simbolike, por derisa të faktohet me prova e dokumente kjo është data e lindjes që është kujtuar, historikisht, Heroi Kombëtar dhe Shtetformuesi i shqiptarëve. Edhe sivjet, ashtu si çdo vit tjetër më parë, 6 maji, shkon e vjen pa u përmend as pa u shënuar nga entet zyrtare qeveritare e shtetërore, por as nga ato akademike të Shqipërisë, të Kosovës dhe më gjërë. As një kurorë të vogël me lule nuk u vendos para ndonjë monumenti të Tij, përfshir monumentin e Kryetrimit në kryeqytetin e Shqiptarëve në Tiranë, në shenjë nderimi. Ashtu si u mbyll në heshtje edhe viti (2018) i shpallur nga Shqipëria dhe Kosova si viti gjoja kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe. Nuk besoj se dikush mund të identifikojë ndonjë gjë që të jetë kujtuar Skenderbeu gjatë atij viti. Në të vërtetë më kujtohet se u mbyll në heshtje të plotë.
Por mirë që, të pakën, me 6 maj që kaloi nuk u mbulua monumenti i Tij në Tiranë me ndonjë çarçaf të bardhë ose të zi, siç ka ndodhur në të kaluarën – siç duket me qëllim që të mos ofendohej Stambolla. Politika shqiptare e tranzicionit 35-vjeçar ende nuk e kupton se në Evropë nuk shkohet pa Gjergj Kastriotin-Skenderbe, Shpëtimtarin e Evropës dhe as pa vlerat e tija kombëtare dhe ndërkombëtare-perëndimore. Ai ka mbrojtur qytetërimin perëndimor dhe ka luftuar despotët e Sulltanit. Skenderbeu ishte dhe mbetet simboli i identitetit kombëtar dhe model i një shteti të qëndrueshëm dhe të organizuar, sipas modelit të Shtetformuesit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe -- në përputhje me historinë e dokumentuar kastriotiane dhe me vlerat moderne të botës euro-atlantike.
Për fat të keq, ashtu si nga viti në vit, edhe sivjet pamë se Gjergj Kastrioti-Skenderbe, për fisin e tij arbëroro-shqiptar -- as në ditëlindjen e tij me 6 maj -- nuk është i Përgjithëmonshëm, as hero Kombëtar, as Shtetformues, por i harruari i kombit.
Pyetje për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare?
Me 6 Maj, 2025, me sa vura re, liderët politikë në Shqipëri dhe në Kosovë munguan madje edhe me ndonjë deklaratë, për të kujtuar rëndësinë e kësaj dite, të pakën deklarata të llojit që ata bëjnë ditë për ditë në rrjetët sociale, për gjëra të kota. More, si dhe pse Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk e meriton të kujtohet në ditëlindjen e tij, të pakën me një kurorë me lule të freskëta pranë monumentit të tij në Tiranë, në Prishtinë, e në vende të tjera? A nuk meriton i Përgjithmonshmi i Kombit shqiptar të ketë një ditë në vit kushtuar Atij për ta nderuar e kujtuar ashtu siç meriton dhe siç bëjnë kombet e përparuara me heronjtë e tyre kombëtarë, anë e mbanë botës? Si mund të pretendoni se jeni serioz për zhvillimet dhe proceset demokratike drejt Evropës dhe vlerave të botës së sotëme të përparuar, ndërkohë që nuk kini asnjë respekt për historinë e lavdishme të Gjergj Kastriotit, të cilin tanimë e mbarë bota e njeh si Heroin e lavdishëm të shqiptarëve dhe Mbrojtësin e madh të qytetërimit evropian?
Kjo rrugë në të cilën vazhdojnë sot Shqipëria dhe Kosova, në të vërtetë, mund të jetë një rrugë pa kthim, drejtë së keqës. Mos njohja e vlerave kombëtare dhe perëndimore të Skenderbeut, qoftë edhe njëherë në vit në datëlindjen e tij –nuk mund të jetë një rrugë pa kthim -- siç pretendohet nga disa politikanë -- e proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, sepse, sot për sot, duket se ajo rrugë është e mbyllur. Edhe njëherë, nëqoftse Evropa është vërtetë destinacioni juaj, nuk shkohet drejt Evropës pa Gjergj Kastriotin Skenderbe!
Por si edhe në rastet e mëparshme edhe në këtë datëlindje (6 maj) të Gjergj Kastriotit-Skenderbe kemi të drejtë të shpresojmë madje edhe kundër shpresës, se në një të ardhme jo të largët, Kombi shqiptar do zgjohet dhe do t’a gjejë të arsyeshme që të caktojë një ditë në vit, të kalendarit të festave kombëtare, kushtuar Heroit të tij të madh, Gjergj Kastriotit – Skenderbe, me qëllim që ai të mos harrohet, por të kujtohet, çdo vit në datëlindjen e tij, zytarisht, të pakën njëherë në vit një ditë bashkimi për të gjithë shqiptarët, pa dallim dhe kudo qofshin ata.
Uroj që shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktualë dhe në të ardhmen të jenë të dinjitetshëm të vlerave, traditave dhe lavdisë së Prijësit të Kombit e Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe! Që të gjithë shqiptarët pa dallim, me një Besëlidhje të re midis tyre të modelit Kastriotian – të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer tek vlerat dhe traditat arbërore të Besës, Nderit e Burrërisë, të trashëguara nga Gjergj Kastrioti -- Skënderbeu!
Historia e 35-viteve të kaluara më bën të dyshoj seriozisht që të ndryshojë gjë sa i përket trajtimit zyrtar të figurës historike të Madhit Gjergj Kastrioti-Skenderbe ndër shqiptarët. Por shpresa ime është besimi në të Madhin Zot -- se megjithë këto zhgënjime të (keq)trajtimit dhe harresës së turpshme të figurës madhështore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga klasa aktuale politike shqiptare, më në fund – se “Për inat të djallit e të shqiptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqipëninë më kambë, me nder e me lumni”. (Shën Pjetri në bisedën satirike të veprës së At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, Satirika - Anzat e Parnasit e Gomari i Babatasit.)