Paris Saint-Germaini u rikthye në finale të Ligës së Kampionëve pas pesë vjetësh dhe e ka mundësinë që ta fitojë për herë të parë në histori trofeun kontinental më të rëndësishëm.
Tifozët bënë festë në “Champs Elysées”, por ky gëzim u errësua me një ngjarje të rëndë që e tronditi atmosferën festive.
Siç raporton shtypi transalpin, një veturë është përplasur me turmën e njerëzve duke i lënduar disa persona.
Arsyet e këtij incidenti nuk dihen, ndonëse thuhet se vozitësi ishte në gjendje të dehur dhe i shtypi njerëzit derisa po mundohej t’i ikte turmës që po ia shqelmonte veturën.
Disa video që po qarkullojnë në rrjetet sociale e shfaqin makinën e cila shpërthen në flakë pas aksidentit.
Janë së paku tre të lënduar, ndërsa njëri prej tyre fatkeqësisht është në gjendje kritike.
Sipas të dhënave nga policia, veturës iu vu flaka nga disa persona pas aksidentit dhe më pas ajo u gjet e djegur jo shumë metra larg vendit të ngjarjes.
Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Zwayer, mijëra tifozë parisienë përfunduan në rrugët e kryeqytetit francez për ta festuar fitoren ndaj Arsenalit, përreth stadiumit “Parku i Princave” dhe në “Champs Elysées”.
Rreth 2 mijë pjesëtarë të policisë u angazhuan në Paris për t’i ndalur problemet dhe incidentet eventuale, të cilat fatkeqësisht ndodhën: vetëm mbrëmë janë arrestuar 43 persona në kaosin e shkaktuar në kryeqytetin francez.