Trajneri i ri i Liverpoolit, Arne Slot, ka thënë se ai “e dinte që më parë” sa i mirë ishte portieri numër një i Italisë, Gianluigi Donnarumma, përpara paraqitjeve të tij mbresëlënëse në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Arsenal gjatë dy javëve të fundit.
“Kjo nuk ishte surprizë për mua,” tha ai.
Slot dha një vlerësim shumë pozitiv për katër gjysmëfinalistët e Ligës së Kampionëve pas përfundimit të ndeshjeve të kthimit këtë javë, ku Interi u kualifikua në finale duke eliminuar Barcelonën dhe PSG kaloi Arsenalin.
Liverpooli u eliminua në fazën e 1/16-ës të kësaj gare këtë sezon nga PSG, pas penalltive, ku Donnarumma priti goditjet e Darwin Núñez dhe Curtis Jones.
Pikërisht për këtë arsye, Slot tha se “e dinte që më parë” sa i talentuar është ish-portieri i Milanit.
Ai gjithashtu sugjeroi se cilësia e portierëve ishte një nga arsyet pse rezultati total mes PSG dhe Arsenal përfundoi 3-1, dhe jo 7-6 siç ndodhi në ndeshjen tjetër mes Interit dhe Barcelonës.
“Një mik më tha: A ishte ajo ndeshje (Inter-Barcelona) më argëtuese dhe më e mirë, apo ishte thjesht sepse çdo rast u kthye në gol dhe befas ishte 3-3 apo 4-3 dhe të gjithë thoshin ‘wow’,” tha Slot duke folur për gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve gjatë konferencës për shtyp të së premtes.
“Por ndoshta kishte po aq raste edhe te PSG-Arsenal, thjesht nuk u kthyen në gola falë dy portierëve të jashtëzakonshëm.
“Unë e dija tashmë sa i mirë ishte Donnarumma, pasi e përballëm këtu në Anfield, kështu që kjo nuk ishte surprizë për mua. Të dyja ndeshjet ishin kënaqësi për t’u parë”.