Dështon sërish skema “Final 4”

- Bota Sot

Dështon sërish skema “Final 4”

“Final 4” i këtij edicioni pa katër skuadra pjesëmarrëse, me kryeqytetin që kishte dy pjesëmarrës në përbërjen e saj dhe dy të tjerat përfaqësonin Rrogozhinën dhe Shkodrën.

Në kushtet kur ndeshjet luhen në Tiranë, përbënte jo pak avantazh për Partizanin dhe Dinamon, por duket se kjo nuk ka mjaftuar, pasi skuadrat e rretheve arritën të fitonin përballë tyre dhe finalja është Vllaznia-Egnatia, që do të diskutojnë edhe titullin tashmë së bashku.

Nga ana tjetër, Partizani dhe Dinamo do të luftojnë vetëm për vendin e tretë, që praktikisht nuk ka asnjë vlerë, pasi verdiktet janë dhënë tashmë sa u përket trofeve dhe kualifikimit në Europë.

Ajo çka përbën ironinë e fatit është se dy kryeqytetaset do ta luajnë finalen e vogël në Elbasan, jashtë Tiranës.

Partizani dhe Dinamo nuk ia arritën ta plotësonin qëllimin e titullit kampion dhe tashmë e shohin veten, duke luajtur një ndeshje që vlen vetëm sa për të shtyrë pushimet pas një sezoni të gjatë e të vështirë.

Të dyja pritet të luajnë me të rinj dhe rezerva.

FORMULA – Për të dytin sezon radhazi, skema e Superiores dështon sa i përket ndeshjes për vendet 3-4. Kur u hartua “Final 4”, plani ishte që kjo ndeshje të vendoste skuadrën e katërt që do të shkonte në Europë, por Kupa e ka nxjerrë jashtë loje dhe ndeshja e sotme luhet vetëm për të bërë “adetin”.

Dinamo, fituese e Kupës, ishte pjesë e katërshes dhe automatikisht i liroi vendin e katërt, një vend në Europë.



Read it all at Bota Sot