Marco Tardelli, ish-mesfushori legjendar italian, ka shkruar një opinion për gazetën “La Stampa”, ku lavdëron Simone Inzaghin dhe Interin për arritjen në finalen e Ligës së Kampionëve: “Të gjithë në këmbë për të nderuar punën e madhe të Simone Inzaghit.
I shpëtoi tripleta, por ende ka mundësinë të hyjë në histori duke fituar një Champions që deri tani është mëse i merituar, me paraqitje që tregojnë cilësinë e Interit, përkushtimin që këta djem kanë treguar deri në fund, duke hedhur zemrën përtej pengesave, pavarësisht një forme fizike jo 100%”.
Tardelli vlerëson sidomos aftësinë menaxheriale të Inzaghit në drejtimin e një grupi të pasur me cilësi, që në kushte normale mund të kishte sjellë probleme për balancën e ekipit: “Aftësia e Simone në menaxhimin e një skuadre me cilësi të qarta, që zakonisht mund të krijojë probleme, ka qenë perfekte.
Lojtarë që në skuadra të tjera të mëdha do të kishin qenë titullarë, janë përshtatur duke pritur momentin e tyre. Dhe kur momenti ka ardhur, e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Ky moment, sipas Tardellit, ka qenë ndeshja ndaj Barcelonës, sidomos gjysmëfinalja e kthimit, kur gjatë kohës shtesë ndodhi “mrekullia”: “Goli i Frattesit, vrapimi i tij, ai shikim i mbushur me mosbesim, lumturi dhe dëshirë për hakmarrje… Vetëm ai e di çfarë ka ndjerë në atë çast, një moment që do të mbetet përjetë i gdhendur në lëkurën dhe zemrën e tij”.
Tardelli e përmbyll analizën duke e cilësuar këtë rrugëtim drejt finales si një shembull të frymës së sakrificës dhe menaxhimit të shkëlqyer. Kjo i jep Interit merita të plota për të luftuar për trofeun më të rëndësishëm në Europë.